Sibel Vezaj
08 Shkurt 2017•Përditësim: 09 Shkurt 2017
PRISHTINË (AA) - Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë në Kuvendin e Kosovës u miratua propozimi që debati i nesërm për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtrri të armatosur, të paraqitet si iniciativë e këtij komisioni, e jo të disa deputetëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Komisionit, Daut Haradinaj, deputet nga radhët e partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) foli për iniciativën e tij që Kuvendi i Kosovës të mbajë debat lidhur me transformimin e FSK-së në forca të armatosura.
Ai tha se pas hezitimit të deputetëve të pozitës për të dhënë pëlqimin, ka shkuar në formën sekondare duke e vënë këtë debat si një iniciativë e disa deputetëve, e jo si kërkesë e komisionit.
Haradinaj po ashtu theksoi se diskutimi i kësaj çëshjeje dhe zgjidhja e këtij problemi është urgjencë, por jo një sulm as ndaj mekanizmave ndërkombëtarë në Kosovë, e as tek serbët, të cilët sipas tij, mundohen të bllokojnë përjetësisht Kosovën duke e lënë pa ushtri.
“Tash ka ardhur koha për të formuar ushtrinë për të ruajtur vendin, pa e rrezikuar askënd dhe kjo duhet të bëhet aty ku është vendi, e tempulli është Parlamenti i Kosovës. Kolegët e mi të komisionit i ftoj që nesër ta ndihmojnë këtë temë. Askush nuk ka nevojë të shqetësohet, aq më tepër minoritetet të cilat mendojnë që krijimi i ushtrrisë rrezikon dikë. Absolutisht nuk është e vërtetë, qëllimi ynë është të jemi pjesë e NATO-s dhe ne besojmë se edhe vetë komuniteti serb do të jetë pjesë e ushtrisë”, tha Haradinaj.
Kurse deputetja nga radhët e partisë në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Ganimete Musliu tha se nuk e ka nënshkruar iniciativën për debat meqë sipas saj ka patur probleme procedurale sepse komisioni nuk ka marrë ndonjë vendim për inicimin e një debat të tillë parlamentar. Ajo vuri në dukje se asnjë debutet as nga pozita e as nga opozita nuk e kanë kundërshtuar mundësinë e inicimit të këtij debati.
“Sa i përket debatit a jemi për apo kundër ne si PDK do ta themi fjalën tonë edhe në seancë sepse asnjëherë PDK nuk ka qenë kundër transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës dhe thjeshtë nëse një parti politike ka qenë gjithmonë e gatshme t’i përgjigjet është PDK-ja”, tha Musliu.
Deputeti Rexhep Selimi, anëtar i Komitetit nga radhët e partisë opozitare Lëvizja "Vetëvendosje", ka shprehur habinë e tij për dështimin e nënshkrimit të iniciativës për debatin lidhur me FSK-në, por ai tha se shpresonte që kjo ishte një e metë procedurale.
Deputeti Zafir Berisha, nga Nisma për Kosovën tha se ky debat duhet të fillojë menjëeherë me qëllim të ndryshimit të Ligjit për FSK-në, për ta bërë të mundur transformimin e kësaj force në Ushtri të Kosovës.
Sipas deputetit nga partia në pushtet, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Nuredin Ibishi ende nuk janë krijuar kushtet e volitshme për një debat publik për transformimin e FSK-së. Në fund të mbledhjes unanimisht është vendosur që debati për FSK-në në Kuvend të shkojë si iniciativë e Komisionit.
Ndërkaq në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë në Kuvendin e Kosovës u bë shqyrtimi dhe miratimi i Projektligjit për legalizimin e armëve dhe dorëzimin e armëve të vogla dhe të lehta, municionit dhe mjeteve eksplozive e përbërë nga 17 amendamente.