Figen Shaban
17 Prill 2017•Përditësim: 18 Prill 2017
MITROVICË (AA) - Me iniciativën e komunitetit turk të Mitrovicës dhe me përkrahjen e komunës së Mitrovicës dhe qeverisë së Kosovës, sot u bë inaugurimi i "Qendrës kulturore për komunitete" të Kosovës në Mitrovicë, në kuadër të programit për hir të Ditës së komunitetit turk në Kosovë, e cila shënohet më 23 prill, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë prerjes së shiritit në ceremoninë e inaugurimit të qendrës për komunitete të pranishëm ishin kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Kosovë, Kıvılcım Kılıç, Ministri i Administratës Publike në Qeverinë e Kosovës, Mahir Yağcılar, deputetët nga Partia Demokratike Turke e Kosovës, Müfera Şinik dhe Fikrim Damka, Zv. kryetari i komunës së Mitrovicës Erol Zekeriya dhe përfaqësuesit e tjerë të komuniteteve në këtë komunë.
Agim Bahtiri, kryetari i komunës së Mitrovicës, gjatë fjalimit të tij në inaugirimin e kësaj qendre tha se ky objekt ka qenë një dëshirë e vjetër e tij dhe prej sot komunitetet e kanë një të tillë dhe bëri të ditur se ka emëruar një zyrtar nga komuna si menaxher që të fillojnë aktivitetet e qendrës sa më parë.

“Me të vërtetë ia vlen që komunitetet ta kenë një objekt të tillë për t'i krijuar aktivitetet e tyre. Kështu që me kënaqësi të veçantë e falënderoj ministrin dhe ambasadoren për praninë e tyre sot këtu por edhe KFOR-in dhe të gjithë pjesëmarrësit”, tha Bahtiri.
Ministri i Administratës Publike i Republikës së Kosovës, Mahir Yağcılar në fjalimin e tij tha se një iniciativë e tillë po realizohet për herë të parë në Kosovë por komunitetet kanë nevojë për qendra të tilla për ta përjetësuar kulturën, traditën dhe çdo çështje tjetër që lidhet me identitetin e komunitetit të tyre.
“Kjo vërtetë ka qenë një iniciativë e komunitetit turk por me përkrahjen e komunës dhe Qeverisë së Republikës Kosovës sot jemi duke e realizuar një ëndërr, ndoshta një ëndërr të vogël, por besojmë se do të zgjerohet dhe të vazhdojë edhe në qytetet e tjera”, tha Yağcılar.
Ndërsa, Ambasadorja Kılıç duke theksuar se kjo qendër do të shërbejë në bashkimin e kulturave dhe gjeneratave të ndryshme tha se: “Shpresoj dhe dëshiroj që kjo qendër e cila po hapet sot të jetë edhe një arsye për ta forcuar kulturën, artin dhe harmoninë ndërmjet komuniteteve dhe njerëzve. Unë besoj se kjo qendër do të shërbej në haromoninë, prosperitetin e paqen ndërmjet njerëzve të Mitrovicës së bukur dhe Kosovës multietnike dhe multikulturore”.
Në këtë qendër do të zhvillojnë aktivitetet komunitetet joshumicë, si turqit, boshnjakët, romët dhe ashkalitë të cilët jetojnë në pjesën jugore të Mitrovicës. Objekti i qendrës ka një sipërfaqe prej 600 metra katrorë. Ndërtimi është financuar nga Komuna e Mitrovicës dhe Qeverisë së Kosovës. Ndërtimi i këtij objekti ka kushtuar përafërsisht 100 mijë euro.