Figen Shaban
20 Korrik 2017•Përditësim: 21 Korrik 2017
PRISHTINË (AA) - Organizata joqeveritare Lëvizja FOL organizoi diskutim të hapur me temën “Politikat e punësimit: Ndikimi i sigurimit shëndetësor në punësim, me fokus në rini”. Qëllimi i këtij debati ishte që të diskutohet rreth sigurimit shëndetësor dhe ndikimit të tij që mund të ketë në punësim, raporton Anadolu Agency (AA).
Gersi Gashi nga Lëvizja FOL gjatë prezantimit të raportit të kësaj organizate "Ndikimi i sigurimit shëndetësor në ekonominë e Kosovës", tha se premiumet për sigurimin shëndetësor të obligueshëm për të punësuarit dhe punëdhënësit në Kosovë përbëjnë 7 për qind të të ardhurave bruto të ndara në pjesë të barabarta ndërmjet punëdhënësit dhe të punësuarit.
Gashi paraqiti edhe rekomandimet që dolën nga ky hulumtim, ku parashihet ulja e premiumeve në 5 përqind për të inkurajuar pjesëmarrjen në fond që ruajtja e stabilitetit të fondit të jetë e mundur, ndërsa përputhja e çmimeve të premiumeve me parimet e ekonomisë së tregut të minimizojë keqpërdorimin e sistemit.
Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla tha se mekanizmat shtetërore duhet të rregullohen sa i përket mundësimit të sigurimit shëndetësor. Ai thekson se se punëdhënësit e posaçërisht bizneset e mëdha nuk janë në gjendje të bëjnë kontrata afatgjata për shkak se i ikin përgjegjësisë për të mos paguar sigurimin e punëtorëve të tyre.
“Nuk janë përmbushur kriteret ligjore për fillimin e mbledhjes së premiumit që do të thotë se këto kritere janë sistemi informativ shëndetësor, hyrja dhe dalja e pacientit dhe të barnave, përpilimi i listës së shërbimeve, çmimorja që tregon se a jemi të barabartë me sektorin privat, kartelat sepse 75 për qind e popullatës duhet të jetë e pajisur me kartela dhe lista e të punësuarve nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale”, tha Syla.
Ndërsa, Lumnije Ajdini nga Aleanca Kosovare e Biznesit tha se Ministria e Shëndetësisë nuk ka qenë transparente sa i përket listës së shërbimeve shëndetësore që do t'u ofrohen punonjësve.
“Sektori privat ka 270 mijë të punësuar dhe ka vetëm 80 mijë shërbyes civil. Do të thotë se barrën e mbanë sektori privat. Përveç sigurimit shëndetësor kemi edhe pushimin e lehonisë dhe shumë çështje të tjera që duhet të trajtohen që bizneset private prodhuese të Kosovës nuk mund ta bartin”, tha Ajdini.