CİHAD ALİU
SHKUP (AA) – Kosova, shteti më i ri i Evropës që më 17 shkur të vitit 2008 shpalli pavarësinë nga Serbia, vazhdon të shfaq një pamje të një shteti në të cilin lufta dhe luftimet kanë ngelur në të kaluarën, por që lufton për të zgjidhur shumë çështje, shkruan Anadolu Agency (AA).
Shteti i ri i Kosovës, në të cilin në kohën e krijimit për tërë popullatën lindën shpresa të mëdha për të ardhmen e afërt, ka shkaktuar komentet se ajo "nuk është bërë shteti i ëndërruar" për shkak të mosarritjes së rezultateve në shumë çështje thelbësore për vendin edhe përkundër kalimit të viteve, siç janë anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe integrimi në Bashkimin Evropian (BE).
Në periudhën kur Jugosllavia në fillim të viteve të 90-ta edhe njëherë hyri në atë që në literaturën botërore u quajt si "Ballkanizim", te shqiptarët e Kosovës u rritën shqetësimet si pasojë e nacionalizmit serb në rritje, ndërsa pasoi themelimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila do të luante rol të rëndësishëm në pavarësimin e vendit.
Operacioni i ushtarëve, policisë dhe njësive paramilitare serbe në vitin 1998 ndaj UÇK-së e cila kërkonte pavarësi, mori fund në vitin 1999 kur NATO-ja bombardoi ish-Jugosllavinë. Lufta la të vdekur mbi dhjetë mijë kosovarë, prej të cilëve mbi tetë mijë ishin shqiptarë, ndërkohë që mbi një milion kosovarë të grupeve të ndryshme etnike, prej të cilëve 800 mijë shqiptarë, braktisën shtëpitë.
Vitet e tensioneve me Serbisë në rrugën drejt pavarësimit
Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës vazhduan me intervale që nga periudha e luftës në Kosovë.
Kriza e parë e përmasave më të mëdha pas luftës ndodhi në vitin 2004. Gjatë këtyre ngjarjeve, që u quajtën si "Trazirat e Marsit", 19 persona humbën jetën, prej të cilëve 11 shqiptarë dhe 8 serbë, kurse qindra të tjerë u plagosën.
Në raportin e vitit 2005 nga Kai Eide, diplomati norvegjez i emëruar si Përfaqësues Special në Kosova nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të OKB-së, Kofi Annan, u rekomandua fillimi i negociatave për statusin përfundimtar të Kosovës.
Në vitin 2005, Annan e emëroi Martti Ahtisaarin si Përfaqësues Special në Kosovë. Në vitin 2007, Ahtisari i prezantoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së raportin në të cilin thuhej se Kosova duhet të jetë e pavarur. Nga ana tjetër, Serbia e refuzoi këtë, duke rekomanduar "autonomi të mbikëqyrur".

Në linjë me Planin e Ahtisarit dhe rezolutën 1244 të OKB-së, më 17 shkur të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë.
Aktualisht, Kosova njihet nga gjithsej 116 shtete, prej të cilave 113 janë anëtare të OKB-së. Vendi duhet të njihet nga dy të tretat e 193 shteteve anëtare në mënyrë që të mund të bëhet anëtare e OKB-së.
Procesi i dialogut me Serbinë
Serbia ende vazhdon ta konsiderojë Kosovën si pjesë të saj.
Në vitin 2011, filloi procesi i dialogut me qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, ky proces është ndërprerë veçanërisht për shkak të tensioneve në muajt e parë të dy viteve të fundit.
Në fillim të vitit të kaluar, kryeministri aktual Ramush Haradinaj, një nga ish-komandantët e UÇK-së, u arrestua në një aeroport në Francë me urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia. Fillimisht, ai u lirua me kusht të mbikëqyrjes gjyqësore, kurse më pas u refuzua kërkesa e Serbisë për ekstradim.
Një tejtër ngjarje që shkaktoi ndërprerje të dialogut ishte edhe ajo që u njoh si "kriza e trenit". Më 14 janar të vitit 2017, një tren i ngjyrosur me flamurin e Serbisë në të cilën shkruante "Kosova është Serbi" në 21 gjuhë dhe i cili do të udhëtonte nga Beogradi për në Mitrovicë me qëllim të promovimit të linjave të trenit, kërkoi të hynte në Kosovë pa marrë leje, megjithatë, ishte kthyer prapa.
Më 16 janar të vitit 2018, vdekja e Oliver Ivanoviçit, kryetarit të përgjithshëm të Iniciativës Popullore "Liri, Demokraci dhe Drejtësi", si rezultat i një sulmi të armatosur para zyrës së tij në Mitrovicën e veriut, bëri që palët ta nisin të tensionuar vitin e ri. Mbledhja Kosovë-Serbi e planifikuar të mbahet në Bruksel atë kohë, u anulua pas tërheqjes së palës serbe.
Dialogu, i cili ka rëndësi në rrugën e anëtarësimit në BE si të Kosovës, ashtu edhe të Serbisë, pritet të vazhdojë në një datë në të ardhmen.
Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe forcat e armatosura
Një tjetër çështje e cila ka rëndësi të madhe për Kosovën është fuqizimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit të nënshkruar me Malin e Zi më 26 gusht të vitit 2015 në Vjenë, për arsye se zyrtarët e BE-së kanë deklaruar se liberalizimi i vizave do të jetë i mundur vetëm me fuqizimin e kësaj marrëveshjeje. Megjithëse marrëveshja është miratuar nga ana e Malit të Zi, ajo nuk ka arritur të miratohet në Kosovë për shkak të reagimeve të gjera.
Pengesë tjetër para Kosovës është edhe procesi i transformimit të Forcave aktuale të Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forca të Armatosura të Kosovës. Deputetët serbë të Kosovës nuk e shohin me entuziazëm këtë transformim. Sipas procedurës, për realizimin e këtij transformimi nevojitet miratimi nga dy të tretat e gjithsej 120 deputetëve në kuvend, si dhe, në të njëjtën kohë, pëlqim nga dy të tretat e 20 deputetëtve të grupeve të tjera etnike. Në kuvend ka dhjetë deputetë serbë dhe dhjetë turq, boshnjakë, ashkali dhe goranë.
Brenda 10 viteve, 3 kryeministra dhe 4 presidentë
Ibrahim Rugova, presidenti në qeverinë e parë të formuar pas luftës në Kosovë, nuk arriti ta shohë "fundin e lumtur" edhe përkundër përpjekjeve dhe aktiviteteve intensive për pavarësinë e vendit. Si rezultat i rolit në historinë e vendit, ai u njoh si "Babai i Kombit" dhe "Gandi i Ballkanit", ndërkohë që negociatat për pavarësi i drejtoi deri në vdekjen e tij më 21 janar të vitit 2007.
Presidenti themelues më 17 shkurt të vitit 2008 ishte bërë Fatmir Sejdiu, kurse kryeministër Hashim Thaçi, presidenti aktual i Kosovës.
Që nga pavarësia, vendin e kanë udhëhequr tre kryeministra dhe katër presidentë.
Kohëve të fundit, prania e ish-komandantëve të UÇK-së në qeverisjen aktuale të vendit kishte shkaktuar komente të llojit se "Qeveria e Kosovës gjendet në duart e ish-pjesëtarëve të UÇK-së".
Pakicat dhe flamuri i Kosovës
Në Kosovë, shtet me kryeqytet Prishtinën dhe me 1 milionë e 780 mijë banorë, shumicën e banorëve e përbëjnë shqiptarët, kurse jetojnë edhe grupe të tjera pakicë, siç janë turqit, boshnjakët, serbët, goranët, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët. Turqit, që më të dendur janë në Mamushë dhe Prizren, përbëjnë 1.1 për qind të popullatës.
Flamuri i Kosovës përbëhet nga sfondi i kaltër, gjashtë yje të bardha dhe harta e Kosovës nën të me ngjyrë të verdhë. Gjashtë yjet përfaqësojnë gjashtë grupet etnike që jetojnë në Kosovë (shqiptarët, serbët, turqit, boshnjakët, goranët dhe romët).
Po ashtu, shqiptarët e Kosovës në masë të madhe përdorin edhe flamurin kombëtar shqiptar, që është flamuri i Republikës së Shqipërisë.