Sibel Vezaj
13 Mars 2017•Përditësim: 13 Mars 2017
PRISHTINË (AA) - Arrestohen dy persona të dyshuar lidhur me rastin e plagosjes së avoktatit Azem Vllasi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se Policia me një intensitet të shtuar ka ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin e plagosjes së avokatit Azem Vllasi, ku në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka bërë lokalizimin e personave të dyshuar.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, lidhur me rastin në fjalë janë arrestuar deri tani dy persona të dyshuar, ku njëri prej tyre (M. J. viti 1956) dyshohet se është kryerësi i kësaj vepre, ndërsa personi i dyshuar i dytë është (A. LL. viti 1964)”, thuhet në njoftim nga PK.
Po ashtu Policia e Kosovës ka arritur ta gjejë edhe armën (revole) e cila dyshohet se është përdorur në rast (së bashku me silenciator), e cila është sekuestruar si provë materiale.
Njësitet policore janë në realizim e sipër të hetimeve intensive lidhur me rastin, ku kanë kryer bastisje në lokacione të ndryshme të rajonit të Prishtinës. Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar edhe disa dokumentacione dhe dëshmi të tjera relevante që ndërlidhen me rastin.
Ndërkaq lidhur me rastin ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës, duke e dënuar këtë sulm të armatosur.
“Duke i uruar shërim të shpejtë Vllasit, Qeveria e Kosovës konsideron se veprime të tilla janë krejtësisht të papranueshme në një shoqëri demokratike. Qeveria e Kosovës, po ashtu, fton institucionet kompetente të rendit dhe drejtësisë që të vënë para përgjegjësisë autorët e këtij akti kriminal”, thuhet në një njoftim nga zyra e Kryeministrit.
Më parë sulmin e kishte dënuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Ndryshe, sot në orët e mëngjesit në rrugën "Hajdar Dushi" në Prishtinë është plagosur avokati Azem Vllasi dhe është dërguar në Qendrën Klinike Universitare për trajtim mjekësor.
Sipas Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, Bastri Lenjani, gjendja e avokatit Azem Vllasi është stabile dhe jashtë rrezikut.