Figen Shaban
18 Tetor 2017•Përditësim: 18 Tetor 2017
PRISHTINË (AA) - Departamenti për Krime të Rënda pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë sot ka shpallur publikisht aktgjykimin kundër ish-rektorit të Universitetit të Prishtinës dhe ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani dhe dy të akuzuarve H.V dhe A.R, të cilët në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale 'mashtrimi në detyrë', transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Gjykata Themelore në Prishtinë thuhet se i akuzuari Enver Hasani është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej një viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër penale në periudhën prej dy viteve.
I akuzuari H.V është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej gjashtëmuaj, ndërsa edhe i akuzuari A.R. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej gjashtë muaj.
Të akuzuarve H.V dhe A.R, dënimi me burgim i zëvendësohet me dënim me gjobë në lartësi prej 10 mijë euro, të cilin dënim të akuzuarit janë të obliguar që ta paguajnë në afatin prej 60 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Në rast se të pandehurit nuk e paguajnë dënimin në afatin e caktuar nga gjykata do të mbetet në fuqi dënimi me burgim.
Tre të akuzuarit obligohen që palës së dëmtuar Universitetit të Prishtinës t’ia kompensojnë dëmin në mënyrë solidare në shumë prej 70.131 euro, në afatin prej 90 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, thuhet në fund të njoftimit.