Kayhan Gül
04 Prill 2017•Përditësim: 04 Prill 2017
BEOGRAD (AA) - Në fushatën e zgjedhjeve presidenciale në Serbi, kandidati që tërhoqi vëmendjen më të madhe padyshim ishte Luka Maksimoviç, i njohur ndryshe si Ljubisha Preletaçeviç "I Bardhi", raporton Anadolu Agency (AA).
Maksimoviç, 26 vjeçari që gjatë fushatës zgjedhore tërhoqi vëmendjen me qëndrimin e tij satirik ndaj sistemit politik aktual dhe politikanëve të vendit, kishte dhënë gjatë fushatës premtime të pamundura për t'u realizuar në mënyrë që të tallet, duke thënë se në rast të zgjedhjes do të punonte edhe për veten.
Komediani me nofkën "Beli" (I Bardhi) u bë qendër e vëmendjes në çdo vend në të cilin shkonte me kalin e bardhë, kostumin e bardhë, këpucët e bardha dhe çorapet e leshta, ndërkohë që sipas rezultateve jozyrtare, ka fituar afër 10 përqind të votave, duke u radhitur i treti dhe duke lënë prapa shumë kandidatë.
Maksimoviç nuk kishte ndonjë program zgjedhor. Subjektin e tij ai e emëroi "Nuk i ke provuar sarmat", teksa disa nga premtimet e tij ishin se do ta bënte Serbinë shtet bregdetar, do të hapte fabrikë të Lamborghinit në Serbi, do të ngjyroste në të bardhë Kuvendin e Serbisë dhe se do t'ua dhuronte studentëve rezidencën presidenciale.
Maksimoviç qëndronte në atë se vota duhet t'i jepet atij pasi që është "i ri, i sinqertë, i mirë, i fortë dhe zotëri". Në rast të zgjedhjes president, ai kishte premtuar se Beogradin do ta shndërronte "në metropol botëror me tre metro, katër terminale autobusësh dhe pesë aeroporte".