Sibel Vezaj
17 Janar 2017•Përditësim: 18 Janar 2017
PRISHTINË (AA) - Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ministri i Brendshëm Skënder Hyseni kanë kritikuar provokimet e fundit të Serbisë ndaj Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Jashtëm, Hoxhaj ka pritur sot në takim ish-Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Baroneshën Catherine Ashton.
Në një njoftim nga MPJ bëhet e ditur se gjatë këtij takimi ministri Hoxhaj ka falënderuar Baroneshën Ashton për kontributin e saj për Kosovën në procesin e integrimit evropian dhe ka konfirmuar se Kosova është e palëkundur në orientimin e saj perëndimor.
Gjatë takimit Hoxhaj po ashtu ka folur për situatën aktuale dhe marrëdhëniet e acaruara me Serbinë. Ai theksoi se Serbia ka intensifikuar provokimet dhe qasjen agresive ndaj Kosovës dhe ka shtuar se Kosova do ta mbrojë sovranitetin e saj.
“Serbia ka nisur gamë të gjerë dhe intensive të provokimeve dhe një politikë agresive kundër Kosovës. Një sjellje e tillë është kërcënim jo vetëm për Kosovën, por për paqen në tërë rajonin. Por, pavarësisht se çfarë kërcënime do të vijnë nga Serbia, Kosova do t’u përgjigjet duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të saj”, ka deklaruar ministri Hoxhaj.
Baronesha Ashton, në kuadër të vizitës së saj në Kosovë, sot është takuar edhe me kryeministrin Isa Mustafa, kurse brenda ditës do të takohet edhe me presidentin e vendit, Hashim Thaçin, i cili për kontributin e saj në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për përafrimin e Kosovës me BE-në, do ta dekorojë baroneshën me Medaljen Presidenciale të Meritave.
Ndërkohë ministri i Brendshëm i Kosovës, Skënder Hyseni sot mori pjesë në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ai në këtë komsion raportoi për gjendjen e sigurisë në vend dhe rreth ndaljes së hyrjes së trenit nga Beogradi në Mitrovicë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të këtij komisioni, ministri Hyseni u shpreh se ka dy opsione në raport me Serbinë, ose të luftohet ose të bëhet dialog. Duke theksuar se nuk ka një alternativë të tretë, Hyseni theksoi se dialogu duhet të vazhdojë dhe të riformatizohet rrënjësisht.
Ai vuri në dukje se që nga dita e paralajmërimit të nisjes së trenit nga Beogradi, me ikonografi nacionaliste, MPB ka qenë në koordinim me Policinë e Kosovës. Me këtë rast ministri ka përgëzuar Policinë e Kosovës për punën e bërë.
Hyseni po ashtu theksoi se planet e policisë nuk kanë mundur të bëhen publike paraprakisht, meqë sipas tij dërgimi më herët i policisë atje do të nxiste reagime tjera.