Figen Shaban
24 Gusht 2017•Përditësim: 25 Gusht 2017
PRISHTINË (AA) - Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka pritur në takim zyrtar drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Turqisë, Selami Altınok, i shoqëruar nga ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë. Kıvılcım Kılıç, transmeton Anadolu Agency.
Në një njoftim nga Policia e Kosovës (PK), thuhet se, Maxhuni gjatë takimit duke falënderuar Altınok për vizitën e tij, njoftoi të pranishmit mbi angazhimet, aktivitetet dhe objektivat e PK-së, të bazuara në planin zhvillimor strategjik të Policisë.
Maxhuni njoftoi se PK ka kapacitete profesionale dhe është e përgatitur që të ofrojë siguri, të luftojë kundër krimit të organizuar si dhe të bashkëpunojë ngushtë me organizatat policore me qëllim të avancimit të mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e sigurisë dhe parandalimit të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Ndërsa, drejtori i Policisë së Turqisë, Altınok, ka theksuar se vlerëson lart punën e PK-së në përgjithësi, e në veçanti bashkëpunimin e deritanishëm të treguar me autoritetet policore turke.
Delegacioni i Turqisë konfirmoi mbështetjen dhe përkrahjen për Policinë e Kosovës me të gjitha kapacitetet e saj, duke përfshirë edhe trajnimet e nevojshme në fusha të ndryshme për personelin policor.
Gjatë takimit palët u pajtuan për bashkëpunim të ndërsjellë edhe në të ardhmen, me qëllim të avancimit të mëtejshëm të PK-së, duke përfshirë edhe përkrahjen për inkuadrimin në Interpol dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtarë policorë.