Besar Ademi
14 Dhjetor 2017•Përditësim: 14 Dhjetor 2017
SHKUP (AA) – Me rastin e Ditës Kombëtare të shtetit të Katarit, nën kujdesin e ambasadorit të këtij vendi në Maqedoni, Hassan Bin Abdullah al-Mahmoud, u organizua një pritje ku të pranishëm ishin personalitete të diplomacisë, politikës, ekonomisë e kulturës që veprojnë në Maqedoni, raporton Anadolu Agency (AA).
Ndër të pranishmit në këtë ceremoni të pritjes ishin edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ministri i Kulturës, Robert Allagjozovski si dhe përfaqësues të partive politike në vend.
Pas falënderimeve të ambasadorit Hassan Bin Abdullah al-Mahmoud, të ftuarit shijuan disa ushqime tradicionale të Katarit.
Ambasadori Abdullah al-Mahmoud, në adresimin tij poashtu vuri në dukje linjën e drejtpërdrejt Doha-Shkup dhe Shkup-Doha të avio-kompanisë “Qatar Airways”, duke e veçuar si urë që lidh qytetarët e dy vendeve.
Në ceremoninë e pritjes u organizua edhe një lojë shpërblyese me anë të të cilës dy të ftuar fituan biletë ajrore Shkup-Doha dhe anasjelltas.
Ndryshe, në muajin korrik të këtij viti në aeroportin “Aleksandri i Madh” në Shkup u ul avioni i parë i linjës së drejtpërdrejt ajrore nga Doha.
Linja nga Katari për në kryeqytetin e Maqedonisë, që nga ajo kohë është në shërbim katër ditë në javë me një avion që posedon 12 vende të klasit biznes dhe 132 të klasit ekonomik.
Ambasada e Katarit në Shkup është një nga 113 përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të shtetit të Katarit jashtë vendit.