Zlatan Kapiç
13 Dhjetor 2016•Përditësim: 13 Dhjetor 2016
BEOGRAD (AA) - Presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliç tha sot në hapjen e takimit të 35-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BSEC) se Serbia "ia zgjatë dorën Kroacisë për një të nesërme më të mirë", raporton Anadolu Agency (AA).
"Detyrën e kryetarit të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi e dorëzojmë në duart e Republikës së Turqisë me shpresën se ne në muajt e fundit kemi kontribuar në forcimin e organizatës", tha Nikoliç në hapje të takimit, në të cilin marrin pjesë përfaqësuesit e 12 vendeve pjesëmarrëse.
Nikoliç tha se me përgjegjësi mund të thotë se ligjet që kanë të bëjnë me pakicat kombëtare në Serbi janë shumë më të larta nga shtetet anëtare të BE-së.
"Serbia nuk dëshiron të ndihmon proceset retrograde dhe nuk pranon fjalorin e shantazhit, nuk i përgjigjet provokimeve dhe përpiqet që të mos rrënojë urat e sapondërtuara, por u them të gjithëve se kjo nuk është shenjë e dobësisë sonë. Në Kroaci, sikur ka një garë se kush do të dëmtojë dhe fyej më shumë Serbinë. Presidentja i kërkon falje prindërve për shkak se në paketat u kishte dhuruar fëmijëve çokollata të prodhuara në Serbi. Kulmi ishte dje, Kroacia po pengon Serbinë në Bashkimin Evropian për shkak të problemeve të pazgjidhura bilaterale, por ne sot ia zgjasim dorën Kroacisë për një të nesërme më të mirë për fëmijët tanë. Kjo dorë i është zgjatur të gjithëve, por sidomos Kroacisë", ka thënë Nikoliç.
Presidenti serb i uroi suksese Turqisë, gjatë presidencës së saj me BSEC-në.
Në takimin e 35-të Këshillit të Ministrave të BSEC marrin pjesë përfaqësuesit e 12 shteteve, Sergei Lavrov, ministri i Jashtëm rus, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Dacic, Zv/ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Ahmet Yildiz, ministri i Punëve të Jashtme dhe Integrimit Evropian të Moldavisë Andrei Galbur dhe Lazar Komanesku, ministri i Jashtëm i Rumanisë.