Figen Shaban
22 Janar 2018•Përditësim: 22 Janar 2018
PRISHTINË (AA) - Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë ka prezantuar thirrjen për skemën e nën-granteve për përfshirje sociale dhe ri-integrim ekonomik të viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore, raporton Anadolu Agency (AA).
Në kuadër të këtij projekti të financuar dhe menaxhuar nga BE-ja i cili synon të promovojë efikasitet dhe efektivitet më të madh në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore në Kosovë, janë ndarë grante në vlerë prej 150 mijë euro për të përmirësuar asistencën ndaj viktimave të trafikimit.
Ekspertja e projektit, Sadete Kastrati, e cila prezantoi kriteret aplikuese të skemës së nën-granteve tha se për grante mund të aplikojnë nga 10 deri në 20 organizata joqeveritare si dhe strehimore të cilat do të ofrojnë një kualitet më të lartë të shërbimeve për viktimat e trafikimit. Ajo po ashtu bëri të ditur se 50 viktimave do të ju ofrohet një trajnim ekskluziv rreth çështjes në fjalë.
Zëvendëskryesuesi i Sektorit për bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Libor Chlad, gjatë fjalimit të tij tha se trafikimi me qenie njerëzore krijon probleme të mëdha, si keqpërdorimi dhe prostitucioni, duke theksuar se ka efekte të dëmshme. Ai tha se BE-ja ka ndarë grante jo vetëm për t'i ndihmuar viktimat e trafikimit, por edhe për ta luftuar këtë krim efektivisht, duke bërë të ditur se këto mjete do t'i dërgohen organizatave të shoqërisë civile për të punuar në këtë drejtim.
“Trafikimi i qenieve njerëzore është krim serioz dhe për këtë arsye më vjen mirë që i shoh të gjithë personat kompetent nga institucionet e Kosovës që janë përgjegjës për koordinim në luftën kundër krimit të organizuar. Kjo vërteton edhe njëherë që jemi në rrugën e njëjtë”, tha Chlad.
Ndërsa, zëvendësministri dhe koordinatori nacional Kundër Trafikimit me Njerëz pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, Milan Radojevic, theksoi se trafikimi i qenieve njerëzore, është aktiviteti kriminal i dytë më fitimprurës në botë pas trafikimit të narkotikëve. Ai tha se Kosova nuk është përjashtuar nga ky problem dhe se një nga prioritetet e Qeverisë së Kosovës është të luftojë trafikimin e qenieve njerëzore.
"Shpresoj që qëllimi i këtyre granteve të jetë për të ndihmuar të gjithë në zbatimin e Strategjisë Kombëtare dhe Planit Kombëtar të Veprimit për të krijuar një mjedis më të sigurt për të gjithë qytetarët tanë, para se gjithash për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve për këtë fenomen, por edhe për të ndihmuar viktimat e trafikimit. Qëllimi është të lehtësojë kthimin e viktimave në shoqëri, për të qenë e lehtë për ta, për familjet e tyre dhe për të gjithë shoqërinë", tha Radojevic.