arsim

Prishtinë, inaugurohet "Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në UP"

"Do ta kemi vështirë të mbesim garues në tregun e punës, tregun ekonomik në vend, qoftë edhe me taksa që i kemi vendosur nëse nuk i zhvillojmë disa aftësi, shkathtësi e zotësi të tjera, e që mund të tërheqin investime", tha Haradinaj

Sibel Vezaj  | 29.11.2018 - Përdıtësım : 30.11.2018
Prishtinë, inaugurohet "Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në UP" ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës (UP) sot organizuan ceremoninë e inaugurimit të “Qendrës së Inovacionit dhe Nërmarrësisë në UP”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë ceremoni të organizuar në objektin e Laboratorëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të UP-së morën pjesë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj,kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, Rektori i UP-së Marjan Dema, përfaqësues të organizatave e të kompanive, stafi akademik dhe administrativ i UP-së dhe studentët.

Kryeministri Haradinaj në një fjalë rasti falënderoi kryeparlamentarin Veseli për idenë e krijimit të Ministrisë së Inovacionit, duke theksuar se qëllimi i krijimit të kësaj ministrie ka qenë një hap i mirë. Duke theksuar rëndësinë e arsimit dual, Haradinaj tha se “Do ta kemi vështirë të mbesim garues në tregun e punës, tregun ekonomik në vend, qoftë edhe me taksa që i kemi vendosur nëse nuk i zhvillojmë disa aftësi, shkathtësi e zotësi të tjera, e që mund të tërheqin investime".

Kryeparlamentari Veseli me këtë rast tha se një nga prioritetet e tij ka qenë lidhja e botës akademike me atë të biznesit dhe të ndërmarrësisë.

“Kjo është ajo pikërisht që sot po ndodhë, përgëzoj në mënyrë të veçantë ministrin Beqaj për këtë ndërmarrje e cila është me rëndësi. Zhvillimi ekonomik, prespektiva ekonomike e vendit tonë mund të arrihet vetëm në momentin kur bota akademike ndërlidhet me ndërmarrësinë. Kjo është pikërisht ajo që i ka munguar deri më tani Kosovës dhe e zhvillimit tonë edhe akademik por në të njëjtën kohë edhe biznesor”, tha ai.

Ministri Beqaj tha se beson fuqishëm që e vetmja fuqi konkurruese në kohën e ekonomisë globale, të dixhitalizimit, në kohën kur bota shkon drejt kompjuteristikës, robotikës e dronëve, është rinia, si promotori dhe gjeneratori kryesor i zhvillimit ekonomik.

"Jemi duke tentuar që ta lidhim botën akademike me biznesin, me jetën reale, jo t’i kornizojmë studentët. Bota akademike po transformohet në mënyrë të shpejtë Shumë më shpejtë po transformohen rinia se sa institucionet. Shumë më shpejtë po ecin ata dhe po ndryshojnë, se sa institucionet", tha ai.

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Ahmet Shala vuri në dukje se qendra do të jetë hapësirë e destinuar për studentët e UP-së, inovatorët, ndërmarrjet inovative në proces të parainkubimit dhe të inkubimit dhe për të rinjtë e interesuar për përgatitje profesionale dhe bashkëkohore.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.