Në Shqipëri fillon viti i ri akademik
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Lindita Nikolla, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik zhvilloi një vizitë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës
Tiranë
TIRANË (AA) - Ka filluar sot në Shqipëri viti i ri akademik 2018-2019 në të gjitha universitetet e vendit, ku janë organizuar ceremoni të ndryshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Lindita Nikolla, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik zhvilloi një vizitë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Nikolla tha se është nder i veçantë që nga ky fakultet të urojë fillimin e vitit të ri akademik për të gjithë studentët dhe profesorët, në të gjitha institucionet e arsimit të lartë në vend.
“Ligji i ri për arsimin e lartë nuk do të ndryshonte numrat për të çuar më shumë studentë drejt universiteteve private. Arsimi i lartë nuk është thjeshtë një listim numrash, por është cilësi ndaj dhe reforma jonë përkundrejt gjithçkaje që ndodhte me arsimin e lartë deri në vitin 2013, ku rendej pas numrave dhe jo pas cilësisë besoj që ka filluar të japë rezultatet e para në këtë drejtim. Kemi ende shumë për të bërë për të standardizuar ato që Evropa njeh si tregues për të reflektuar standardet e cilësisë”, deklaroi Nikolla.
Sipas saj, qëllimi i universitetit është që të mundësojë për sa më shumë të rinj dhe të reja cilësi dhe standarde në aftësi për t’i bërë ata të suksesshëm në tregun e punës.
Përsa i përket pranimeve të reja në universitete, ministrja Nikolla tha: “Ky moment edhe këtë vit ka bërë në hop cilësor përsa i përket standardeve të cilësisë. Nga të gjithë të pranuarit në vitin e parë, 74 për qind prej tyre janë me notë mesatare mbi 7 dhe rreth 32 për qind e të gjithë të pranuarve në vitin e parë në universitetet publike kanë një notë mesatare mbi 8.5. Është vetëm treguesi i parë dhe duhet matur në mënyrë të vijueshme”.
Sot nis viti i ri akademik për rreth 83 mijë studentë në ciklin e parë të studimeve. Rreth 22 mijë prej studentëve ulen për herë të parë auditorët e universiteteve, ndërsa këtë vit janë hapur 103 programe të reja studimi.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
