Analizë

Fjala dhe vendimi i fundit në BE është i Perëndimit

Aktualisht në emrat e propozuar dhe të përzgjedhur për pozicionet e larta duket se nuk është përfaqësuar në asnjë mënyrë "blloku lindor" i përbërë nga vendet më të reja të Unionit

Şerife Çetin  | 04.07.2019 - Përdıtësım : 07.07.2019
Fjala dhe vendimi i fundit në BE është i Perëndimit

Bruksel

ŞERİFE ÇETİN

Fakti që emrat e caktuar në krye të institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian vijnë kryesisht nga vendet e Evropës Perëndimore dhe Mesdhetare, tregon se shumëllojshmëria (diversiteti) gjeografik në BE është vënë në plan të dytë dhe ndarja mes bllokut Lindje-Perëndim është thelluar, shkruan Anadolu Agency (AA).

Sipas "paketës" së dakorduar nga krerët e BE-së pas disa ditësh negociatash, presidente e Komisionit Evropian do të emërohet ministrja e Mbrojtjes së Gjermanisë, Ursula von der Leyen, president i Këshillit të BE-së kryeministri belg Charles Michel, Përfaqësues i Lartë i BE-së ministri i Jashtëm spanjoll Josep Borrell ndërsa drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) francezja Christine Lagarde kryetare e Bankës Qendrore Evropiane (BQE).

Ndërkohë në anën tjetër, postin e presidentit të Parlamentit Evropian (PE) e ka marrë italiani i sapo zgjedhur nga anëtarët e parlamentit, David Maria Sassoli.

Blloku Lindor është bërë i padukshëm

Në anën tjetër sipas marrëveshjeve të BE-së, derisa zgjidhen presidentët e institucioneve kryesore të bashkimit synohet të sigurohet diversiteti gjeografik dhe barazia gjinore.

Liderët e vendeve anëtare kanë shënuar një përparim të madh në barazinë gjinore duke propozuar për herë të parë emrat e dy grave për presidencën e KE-së dhe BQE-së ndërkohë që vërehet se është injoruar diversiteti gjeografik cili është një tjetër kriter i rëndësishëm.

Aktualisht në emrat e propozuar dhe të përzgjedhur për pozicionet e larta duket se nuk është përfaqësuar në asnjë mënyrë "blloku lindor" i përbërë nga vendet më të reja të Unionit.

Fitorja ishte moszgjidhja e Timmermans

Nga ana tjetër, është e mundur të vlerësohet se anëtarët e bllokut lindor, të njohura si vendet e Vishegradit, si Polonia, Çekia, Hungaria dhe Sllovakia, janë "të gatshme të shohin vdekjen dhe pranojnë malarien".

Gjatë negociatave të mbajtura nga liderët në Bruksel, emri i Frans Timmermans, kandidati i Social Demokratëve (S&D), që ka dalë në pah me retorikën e sundimit të ligjit dhe të demokracisë, filloi të përmendej intensivisht për presidencën e KE-së.

Ndërkohë vende të tilla si Republika Çeke, Polonia dhe Hungaria theksuan se ata nuk do të pranonin "kategorikisht" kandidaturën e Timmermans.

Konsiderohet se këto vende gjatë negociatave përqendruan të gjitha energjitë e tyre që "Timmermans të mos zgjidhej", kështu që vlerësohet se në këtë mënyrë këtyre vendeve "nuk u mbeti më fuqi për të ngritur zërin" ndaj kandidatëve të tjerë të propozuar pavarësisht se ata nuk i përfaqësojnë.

Në të vërtetë, në këtë kuadër mund të merret në konsideratë edhe deklarata që kryeministri hungarez Viktor Orban ka bërë duke tërhequr vëmendjen se vendet e Vishegradit po veprojnë së bashku. "Ne kemi arritur sukses të rëndësishëm. Në politikën ndërkombëtare gjithmonë dalin çështje të reja të debatueshme, por tashmë edhe ne jemi të fortë sepse mundëm të realizonim atë që dëshiruam", tha Orban.

Fitoi Macron

Në një deklaratë pas samitit, presidenti francez Emmanuel Macron pasi bëri të ditur se të gjithë presidentët flasin frëngjisht, ai tha se "Unë jam i lumtur që kam një ekip të ri francez".

Megjithatë, nuk është avantazh i vetëm për Macron që këta kandidatë flasin frëngjisht. Macron, i cili ka siguruar emërimin e një francezeje në BQE, ka qenë iniciator edhe për zgjedhjen në Presidencën e Këshillit të BE-së të Charles Michel, anëtar i Renewing Evropian që ka dhe grupin liberal në PE.

Pavarësisht se për presidentin francez mund të konsiderohet si një humbje vendosja e një gjermaneje në presidencën e KE-së, që është në krye të posteve të rëndësishme, është zbuluar se Ursula von der Leyen është sugjeruar gjithashtu nga Macron.

Ndërkohë, presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk njoftoi se ka ‘abstenuar‘ për Leyen pavarësisht se kancelarja gjermane Angela Merkel e ka mbështetur personalisht atë.

Macron duke mbështetur Leyen, një anëtare e Partisë Popullore Evropiane (PPE), grupi politik i Merkelit në PE ai njëkohësisht ka siguruar që të fitojnë fuqi në komision liberalët të cilët dolën si grupi i tretë më i madh politik në zgjedhjet e PE-së. Tusk ka thënë se Leyen planifikon të sjellë në postin e Zëvendëspresidentes së Parë të KE-së, Magrethe Vestager, një nga kandidatet në krye të listës së liberalëve.

Një sukses i madh për Macron ishte "vrasja" e sistemit "Spitzenkandidat", i cili parashikon që presidenti i KE-së të zgjidhet nga personat në krye të listës së grupeve politike në PE, sistem ky të cilin Macron e ka kundërshtuar shpeshherë.

Në këtë mënyrë, Macron arriti të shndërrojë në avantazhin e tij boshllëkun e pushtetit që u krijua pasi Merkel, një nga lideret kryesore të BE-së, deklaroi se do të braktisë politikën.

A do të thellohet ndarja Lindje-Perëndim?

Liderët e BE-së, të cilët nuk kanë asnjë të drejtë fjale në emërimin e presidentit të PE-së, për të respektuar parimin e barazisë gjeografike rekomanduan që në këtë pozicion të emërohet një person nga vendet e Evropës Lindore.

Me rizgjedhjen e një italiani sërish në presidencën e PE-së, ka bërë që pabarazia gjeografike në emërime të përforcohet.

Gjithashtu vërehet se po përjetohet një "eufori fitoreje" në masë të vogël me lumturinë që vendet e Evropës Lindore kanë shpëtuar nga "kandidati problematik" Timmermans.

Por, vërehet se atmosfera e fitores nuk do të zgjasë shumë për vendet e bllokut lindor të cilat do ta kuptojnë se pas emërimit të presidentëve të rinj pushteti ka mbetur sërish në Evropën Perëndimore.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.