Analizë

A do të realizohen objektivat e Mohammed bin Zayed-it në epokën e re?

Pas vdekjes së Sheikh Khalifa bin Zayed-it, janë ngritur pyetje në lidhje me qëllimet e presidentit të ri Mohammed bin Zayed në rajon, veçanërisht në lidhje me Turqinë

27.05.2022 - Përdıtësım : 28.05.2022
A do të realizohen objektivat e Mohammed bin Zayed-it në epokën e re?

Stamboll

Nga Betül Doğan Akkaş

- Autorja është kandiadate për Ph.D. në një program të përbashkët midis Qendrës së Studimeve të Gjirit të Universitetit të Katarit dhe Shkollës së Qeverisjes dhe Çështjeve Ndërkombëtare të Universitetit të Durhamit.

Presidenti i dytë i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Sheikh Khalifa bin Zayed al-Nahyan, i cili përshkruhej si figurë kyçe në ngritjen e shpejtë të Emirateve në dy dekadat e fundit, vdiq më 13 maj në moshën 73-vjeçare. Pas vdekjes së tij, janë ngritur pyetje në lidhje me qëllimet e presidentit të ri Sheikh Mohammed bin Zayed al-Nahyan në rajon, veçanërisht në lidhje me Turqinë.

- Trashëgimia e Sheikh Khalifa-s

Trashëgueshmëria e Sheikh Khalifa-s përkoi me protektoratin britanik në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe shfaqjen e pasurisë së papritur të naftës. Kështu, ai ishte sundimtari i fundit që lidhi të kaluarën e Emirateve të Bashkuara Arabe – kur qeveria federale nuk ishte krijuar ende – dhe statusin e saj aktual si fuqi globale ekonomike dhe rajonale. Pra, trashëgimia dhe fuqia e tij mbështeten nga forma të ndryshme pushteti mes këtyre tranzicioneve dhe ndryshimeve.

Në mënyrë jokonvencionale, para vdekjes së tij në vitin 2004, Sheikh Zayed emëroi Mohammed bin Zayed-in si zëvendësprinc të kurorës pas Sheikh Khalifa-s. Caktimi i Mohammed bin Zayed-it si princ i kurorës i Shaikh Khalifa-s para vdekjes së tij rriti stabilitetin politik të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe siguroi pasardhjen midis djemve të Sheikh Zayed-it në vend të familjes së vetë Sheikh Khalifa-s. Meqenëse ai ishte tashmë i përfshirë në politikën e jashtme dhe të brendshme, pasardhja e Mohammed bin Zayed-it ndoqi traditën e rregullt të trashëgimisë dhe procedurën e politikëbërjes.

- Rruga e Mohammed bin Zayed-it drejt fronit

Sheikh Khalifa ishte tërhequr nga drejtimi i punëve qeveritare pasi pësoi një goditje në tru në vitin 2014. Pasi Sheikh Khalifa u tërhoq nga qeverisja, Mohammed bin Zayed filloi të perceptohej si sundimtari de fakto falë reputacionit të tij si udhëheqës proaktiv.

Që të dy, Mohammed bin Zayed dhe Sheikh Khalifa, filluan karrierën e tyre në ushtri pasi u diplomuan në Akademinë Ushtarake Mbretërore në Sandhurst. Pavarësisht disa debateve publike rreth pikëpamjeve të ndryshme politike të dy liderëve, Mohammed bin Zayed ka përfaqësuar një gamë të gjerë alternativash politike që nga viti 2014 duke miratuar një politikë të jashtme proaktive, reforma me prirje laike dhe një lloj qasjeje nacionaliste ndaj politikës së brendshme.

Prandaj, vdekja e Sheik Khalifa-s do t’i hapë rrugën agjendës së Mohammed bin Zayed-it mbi politikat e brendshme dhe rajonale, pasi ai mban pushtet pothuajse absolut pavarësisht nga sundimi federal. Disa vendime të politikës së jashtme që ndryshojnë lojën janë marrë tashmë nën drejtimin e tij që nga Pranvera Arabe. Këto përfshijnë: bashkimin në luftën e udhëhequr nga Arabia Saudite dhe mbështetja e separatistëve në Jemenin jugor; vendosjen e një embargoje ndaj Katarit fqinj; shpalljen e luftës ndaj Islamit politik; normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin; dhe marrjen e qëndrimeve të paqëndrueshme kundrejt Turqisë.

- A mund ta emërojë Mohammed bin Zayed djalin e tij princ të kurorës?

Strategjitë e Sheikh Mohammed-it e rritën trashëgiminë dhe fuqinë e tij si brenda, ashtu edhe përtej Emirateve të Bashkuara Arabe dhe centralizuan politikëbërjen në “Bllokun Bani Fatima”, që i referohet djemve të Sheikh Zayed-it nga gruaja e tij e tretë, Fatima bint Mubarak Al-Ketbi. Si rezultat i përfshirjes së tij më të madhe në politikëbërje sesa është tipike për një princ të kurorës, fuqia e Mohammed bin Zayed-it brenda familjes mbretërore Al-Nahyan është rritur.

Pavarësisht nga sundimi federal, kanë lindur shqetësime për një ndryshim në politikën e trashëgimisë së Abu Dhabit si rezultat i centralizimit të pushtetit dhe kufizimit të procedurave të vendimmarrjes për një grup të vogël njerëzish: A mund ta emërojë Mohammed bin Zayed djalin e tij princ të kurorës?

Nuk ka procedurë strikte për emërimin e princit të kurorës në Abu Dhabi. Megjithatë, falë pozicionit aktual të pushtetit të Mohammed bin Zayed-it, nuk do të ishte çudi nëse ai do të thyente traditën dhe do të zgjidhte djalin e tij të madh, Sheikh Khaled, duke pasur parasysh vendimet e tij të pazakonta politike gjatë trazirave arabe. Megjithatë, ai do të ishte gjithashtu në gjendje të siguronte fuqinë dhe trashëgiminë e tij duke ndjekur linjën tradicionale të trashëgimisë. Kjo do të siguronte që ai të mos përballej me ndonjë sfidë të rëndë në fazat e hershme të mandatit të tij si sundimtar i Emirateve. Në çdo skenar, emërimi më i hershëm i një trashëgimtari është më i mirë për stabilitetin e vendit.

- Implikimet për politikën e Gjirit

Mohammed bin Zayed ka dominuar politikat e brendshme dhe rajonale të Emirateve të Bashkuara Arabe që nga shpërthimi i revoltave arabe. Nëpërmjet iniciativave të tij, masat e balancuara politike dhe ushtarake kanë zëvendësuar strategjitë së vetafirmimit dhe të “hedhjes së topit” përmes angazhimeve konstruktive në politikëbërjen e jashtme të Emirateve. Në kontrast me strategjitë tradicionale të shmangies së rrezikut, midis kalkulimeve të ndryshme të pushtetit, politika rajonale e Mohammed bin Zayed-it u jep përparësi interesave ekonomike dhe ushtarake duke konsoliduar fuqinë e brendshme.

Lidhjet aktuale të Emirateve të Bashkuara Arabe me Egjiptin, regjimin sirian dhe Izraelin janë shembujt më të spikatur të vetëbesimit të tij në rritje dhe fuqia e konsoliduar e Mohammed bin Zayed-it në epokën e re mund t’i nënvizojë këto zgjedhje. Për më tepër, autoriteti i tij absolut mbi çështjet e jashtme mund të çojë në angazhime të mëtejshme në Libi dhe Jemen, ku ushtria e Emirateve ka ndërmarrë veprime direkte dhe indirekte.

Mund të ketë një kompleksitet strukturor që lidhet me strategjitë e Emirateve të Bashkuara Arabe nën Mohammed bin Zayed-in, të cilat duhet të vendosin një ekuilibër delikat midis ruajtjes së mjeteve vetafirmuese dhe garantimit të trashëgimisë së udhëheqjes së tij në Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) dhe Lindjen e Mesme.

- Marrëdhëniet me Turqinë

Ashtu si liderët e tjerë botërorë, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, bëri një vizitë ngushëllimi në Abu Dhabi pas vdekjes së Sheik Khalifa-s. Vizita e Erdoğan-it është e rëndësishme për marrëdhëniet dypalëshe, sepse të dy vendet kohët e fundit kanë filluar të diskutojnë mosmarrëveshjet në disa fusha, duke përfshirë Vëllazërinë Muslimane, krizën e Gjirit 2017 dhe politikat në lidhje me Mesdheun, Egjiptin dhe Libinë.

Mohammed bin Zayed është lider që ka shprehur qartë linjat e tij të kuqe dhe pragmatizmin mes tensioneve të dekadës së kaluar. Lidhjet e Emirateve të Bashkuara Arabe me Turqinë ndoshta nuk do të evoluojnë në një formë të re në këtë epokë. Kjo për shkak se roli dhe preferencat e Mohammed bin Zayed-it theksohen edhe më shumë falë emërimit të tij si president. Nga ana tjetër, duke qenë se ai është lideri që drejton një proces normalizimi me Turqinë, pritshmëria është përmirësimi i lidhjeve dypalëshe, siç ka qenë i planifikuar që nga viti i kaluar.

*Mendimet e shprehura në këtë artikull janë të vetë autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të Anadolu Agency.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın