Meryem Göktaş
29 Prill 2019•Përditësim: 30 Prill 2019
Programi trajnues i 14-ti me radhë nga Anadolu Agency (AA) për gazetari lufte ka vazhduar të hënën nën mbikëqyrjen e Akademisë së Lajmeve.
Programi 12 ditor filloi më 22 prill dhe do të vazhdojë deri më 3 maj.
Pjesëmarrësit, duke përfshirë edhe korrespondentët e AA-së nga rajone të ndryshme dhe tre gazetarë nga Siria, do të stërviten nga ushtria turke, forcat policore, shërbimet e emergjencës dhe nga institucionet publike me seli në Ankara.
Gazetarët vazhduan trajnimin në Agjencinë turke për Emergjenca (AFAD), madje edhe kanë përjetuar granatë tymuese dhe gaz lotsjellës gjatë sesioneve stërvitëse në Akademinë Policore.
Mustafa Çiftçi, korrespondenti i AA-së nga Antalya që është pjesë e trajnimit, tha se ky është një trajnim "esencial" për ata që punojnë në zona lufte.
"Trajnimi për gazetari lufte është shumë i nevojshëm në profesionin tonë. Ne mësuam si të veprojmë në fushë dhe kemi marrë mësime të dobishme teorike dhe praktike për të mbijetuar në kushte të vështira", tha ai.
Homam Daas, pjesëmarrës në trajnim nga Siria, tha se programi është i vështirë por "shumë produktiv".
Duke theksuar se ai jeton dhe punon nën kushte të vështira në Siri, Daas tha se në të ardhmen do të përdorë mësimet e marra nga trajnimi.
Ndihma e parë, mbijetesa gjatë sulmeve kimike dhe biologjike, teknikat e mbijetesës pa ujë dhe teknikat e avancuara të vozitjes së automjeteve, ishin në mesin e temave që u studiuan në shtatë ditët e para të programit.
Programi 12-ditor dallon nga programet e tjera trajnuese për sa u përket kohëzgjatjes, pjesës teorike dhe praktike të mësimeve.
Pjesëmarrësit e suksesshëm do të shpërblehen me certifikata të njohura ndërkombëtarisht.