Murat Asil
28 dhjetor 2021•Përditësim: 29 dhjetor 2021
Forcat turke të sigurisë kanë arrestuar së paku pesë të dyshuar të DAESH-it për terrorizëm në operacionet e nisura për të parandaluar aktivitetet terroriste përpara festës së Vitit të Ri, njoftuan sot burime të sigurisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në provincën qendrore Kayseri, ekipet kundër terrorizmit filluan operacionet kundër të dyshuarve që kishin hyrë ilegalisht në vend dhe dyshoheshin se kryenin aktivitete terroriste në Siri dhe Irak.
Pesë të dyshuarit, të gjithë shtetas sirianë dhe irakianë, u arrestuan në operacione paralele të kryera në lokacione të ndryshme, theksuan burimet.
Turqia ka qenë një nga vendet e para që e shpalli DAESH-in një grup terrorist.
Vendi që atëherë është sulmuar disa herë nga organizata terroriste. Ajo ka kryer të paktën dhjetë sulme vetëvrasëse, shtatë sulme me bomba dhe katër sulme të armatosura, duke vrarë 315 njerëz dhe duke plagosur qindra të tjerë.
Si përgjigje, Turqia nisi operacione antiterroriste brenda dhe jashtë vendit për të parandaluar sulme të mëtejshme.