Cankut Taşdan
15 Korrik 2021•Përditësim: 15 Korrik 2021
Drejtoria e Përgjithshme e Sigurisë së Turqisë (EGM) shpërndau një video që tregon familjet e anëtarëve të stafit të Drejtorisë së Operacioneve Speciale dhe Forcave Ajrore që dhanë jetën e tyre si dëshmorë gjatë përpjekjes për grusht shteti të organizatës terroriste FETO më 15 korrik 2016, raporton Anadolu Agency (AA).
Në videon dy minutëshe, anëtarët e familjeve të dëshmorëve përshkruajnë ngjarjet e natës së përpjekjes për grusht shtet me shumë emocione.
Videoja u publikua nën titullin "Në shenjë përkujtimi për heronjtë që mbrojtën shtetin, popullin dhe flamurin e tyre pa asnjë hamendje".
Videoja, ndër të tjera, tregon objektet e restauruara të Drejtorisë së Operacioneve Speciale, të cilat u shkatërruan nga tradhtarët e FETO-s natën e grushtit të shtetit.
Organizata terroriste FETO përgjegjëse për përpjekjen e grusht shtetit
Organizata terroriste FETO është përgjegjëse për përpjekjen e grusht shtetit në Turqi natën e 15 korrikut 2016.
Kjo është një organizatë terroriste e udhëhequr nga Fetullah Gülen me banim në SHBA, ekstradimin e të cilit Turqia e ka kërkuar zyrtarisht nga Washingtoni.
Anëtarët e organizatës terroriste janë avancuar në shërbim për vite me radhë, duke kurdisur provimet dhe duke u infiltruar kështu në institucionet e shtetit. Pastaj, fillimisht në dhjetor 2013, mbështetësit e FETO-s në gjyqësorin turk u përpoqën të ndjekin penalisht një numër zyrtarësh të lartë përmes një gjykimi të montuar për gjoja korrupsion.
Disa vjet më vonë, pasoi përpjekja e përgjakshme për grusht shteti nga terroristët e FETO-s, pra përpjekje për grusht shteti e kryer nga oficerët e infiltruar në ushtrinë turke nga FETO.
Hetimet në lidhje me organizatën terroriste FETO treguan se ky është një rrjet global që paraqet rrezik jo vetëm për Turqinë, por edhe për çdo vend tjetër në të cilin është aktiv. Zyrtarët turq e kanë theksuar këtë në disa raste. Gjatë përpjekjes për grusht shteti në Turqi, ranë 251 dëshmorë ndërsa 2.734 të tjerë u plagosën.