Mustafa Yıldırım
31 Korrik 2017•Përditësim: 01 Gusht 2017
IZMIR (AA) – Ekipet e Komandës së Xhandarmërisë së Izmirit në Turqi në datat 24-31 korrik në kuadër të luftës kundër kontrabandimit të emigrantëve të cilët po përpiqen të kalojnë në Evropë nëpërmjet rrugëve detare, kanë kryer 15 operacione në gjithë qytetin, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këto operacione janë kapur gjithsej 645 persona, ku 518 prej tyre janë nga Siria, 58 nga Afganistani, 19 nga Somali, 17 nga Kongo, 11 nga Pakistani, 9 nga Iraku dhe 13 nga shtetet tjera si dhe janë konfiskuar 2 autobusë, 4 minibusa, një anije, një varkë dhe 74 jelekë shpëtimi, të cilat janë përdorur për kontrabandimin e emigrantëve.
Të huajt e kapur janë dërguar në Drejtorinë e Administratës së Emigracionit.
Ekipet e xhandarmërisë gjatë javës së fundit kanë kapur 12 persona nën dyshimin se po marrin pjesë në organizimin e kalimeve ilegale.
Shtatë nga të dyshuarit pas përfundimit të procedurave në xhandarmëri, u arrestuan për vepër penale “ndërmjetësim për kontrabandim të emigrantëve në mënyrë të organizuar”, kurse të tjerët u liruan me kusht të mbikëqyrjes gjyqësore.