Ebru Şengül
19 Nëntor 2016•Përditësim: 19 Nëntor 2016
SIIRT (AA) – Gjashtë persona janë arrestuar sot lidhur me shembjen e minierës në juglindje të Turqisë, ku si pasojë pesë minatorë humbën jetën, bëri të ditur policia, raporton Anadolu Agency (AA).
Tre nga të arrestuarit kanë punuar për operatorin e minierës Park Elektrik dhe të tjerët janë të punësuar nga një nënkontraktor ndërtimi, Antlar Insaat.
Njëmbëdhjetë minatorë ende janë të bllokuar pas aksidentit në minierën e bakrit Madenkoy në Sirvan, provinca Sirt, ku dyshohet se është shkaktuar nga rrëshqitja e dheut si pasojë e reshjeve të dendura.
Të dyshuarit e arrestuar përfshijnë pronarin e Antlar, dy menaxherët në terren, një kryeinxhinier dhe dy specialistë të sigurisë në punë.
Një tjetër punonjës i Park Elektrik është duke u kërkuar nga policia, bëri të ditur një zyrtar i xhandarmerisë në kushte anonime.
Sipas ueb faqes së Park Elektrik, kompania, e cila është anëtare e Ciner Group, ka operuar me minierën që nga viti 2006. Rreth 41.5 milionë ton minerale të bakrit janë në këtë vend. Operatori privat i minierës, Park Elektrik, kishte thënë në një njoftim se për shkak të rrezikut të rrëshqitjeve të mëtejshme, prodhimi ka qenë "i ndërprerë".