Gamze Türkoğlu Oğuz
07 Shkurt 2018•Përditësim: 07 Shkurt 2018
ANKARA (AA) – Forcat e Armatosura Turke (TSK) njoftojnë se gjatë operacionit "Dega e Ullirit", që po zhvillohet në bazë të të drejtës ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të Turqisë, nuk përdoret napalmi dhe municionet e ngjashme kimike apo biologjike, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin e publikuar në gjuhën angleze nga llogaria e TSK-së në rrjetin social Twitter, u rikujtua se Forcat e Armatosura Turke më 20 janar të këtij viti nisën operacionin "Dega e Ullirit" për ofrimin e sigurisë dhe të stabilitetit përgjatë kufijve të Turqisë dhe rajonit si dhe për mbrojtjen e popullit sirian nga shtypja dhe mizoria e terroristëve.
Më tej thuhet se operacioni i nisur për neutralizimin e terroristëve që i përkasin PKK/KCK/PYD-YPG dhe DEASH-it, si dhe për të shpëtimin nga shtypja dhe persekutimi të popullit mik dhe vëllazëror të rajonit, po realizohet në kuadër të të drejtës së Turqisë bazuar në të drejtën ndërkombëtare, rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të drejtat e vetëmbrojtjes legjitime sipas kartës së OKB-së dhe duke respektuar integritetin territorial të Sirisë.
"Gjatë periudhave të fundit po zhvillohen disa fushata, komente dhe lajme me qëllime të dezinformimit për të vënë në dyshim legjitimitetin e operacionit", thuhet në njoftimin e TSK-së për të shtuar se “Këto përpjekje të cilat bazohen në gënjeshtra dhe shpifje, është e qartë se po bëhen nga organizatat terroriste dhe përkrahësit e tyre”.
Në njoftim thuhet se qëllimi i këtyre iniciativave është që të vënë hije mbi operacionin e kryer plotësisht me baza legjitime, në mënyrë transparente. Duke vënë në dukje se duhet të injorohen aktet e tilla, TSK thekson se në planifikimin dhe realizimin e operacionit si objektiv po merren vetëm strehimoret, pozicionet, depot e armëve dhe pajisjet e terroristëve.
Duke theksuar se po tregohet çdo kujdes dhe ndjeshmëri dhe se po merren të gjitha masat në mënyrë që të mos dëmtohen civilët/personat e pafajshëm, në njoftim thuhet se ashtu si në të gjitha operacionet edhe në operacionin "Dega e Ullirit", TSK në objektiv po merr vetëm terroristët e assesi jo civilët dhe njerëzit e pafajshëm.
Po ashtu theksohet se në kuadër të këtij operacioni, që nga fillimi e deri më tani në objektiv nuk janë marrë objektet me vlera fetare, kulturore, historike, arkeologjike dhe objektet publike, duke shtuar se të gjitha objektivat e goditura nga TSK janë në regjistrim.
Gjithashtu thuhet se nuk përdoren municionet si napalmi, ato kimike apo biologjike, të cilat janë të ndaluara me të drejtën dhe marrëveshjet ndërkombëtare dhe se municionet e tilla nuk ekzistojnë në inventarin e TSK-së.
"Operacioni 'Dega e Ullirit' po realizohet me sukses dhe me vendosmëri kundër të gjitha organizatave terroriste përfshirë edhe DEASH-in, për ofrimin e paqes dhe të stabilitetit në rajon, në bazë të të drejtës ndërkombëtare dhe vlerave morale", thuhet mes tjerash në njoftimin e TSK-së.