Jeyhun Aliyev
23 qershor 2022•Përditësim: 23 qershor 2022
Ministri turk i Mbrojtjes Kombëtare Hulusi Akar dhe Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace, diskutuan sot zhvillimet e fundit në Ukrainë, si dhe mbrojtjen rajonale, sigurinë dhe bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes, transmeton Anadolu Agency (AA).
Wallace, i cili po viziton Türkiye-n me ftesë të ministrit Akar, u prit me një ceremoni ushtarake në Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare, sipas një deklarate.
Të dy zyrtarët patën një takim që u pasua me bisedime në nivel delegacionesh.
Akar theksoi se marrëdhëniet midis Türkiye-s dhe Britanisë vazhdojnë në çdo fushë bazuar në një partneritet strategjik.
Ai vuri theksin mbi përshpejtimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes me heqjen e kufizimeve të lejeve të eksportit.
Gjithashtu është diskutuar për rëndësinë e bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit, veçanërisht grupeve PKK/YPG, DEASH dhe organizata terroriste FETO.
Akar nënvizoi se në Ukrainë duhet të shpallet një armëpushim sa më shpejt që të jetë e mundur për të rivendosur paqen dhe stabilitetin në rajon me mbështetjen e dhënë për pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit të shkatërruar nga lufta.
Ai gjithashtu vuri në dukje se përpjekjet për zgjidhjen e problemit të grurit vazhdojnë në mënyrë të koordinuar.
Në deklaratë theksohet se u diskutua edhe për marrëveshjen për vazhdimin e aktiviteteve të bashkëpunimit stërvitor ushtarak.
Akar dhe Wallace u takuan më 15 qershor në Bruksel si pjesë e një takimi të ministrave të mbrojtjes të NATO-s dhe një takimi trepalësh të mbajtur me pjesëmarrjen e ministrit të mbrojtjes të Ukrainës Oleksii Reznikov.