Ramazan Turgut,Muhammed Ali Akman
17 Qershor 2017•Përditësim: 17 Qershor 2017
MEKË (AA) - Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, në qytetin Mekë të Arabisë Saudite ka kryer një takim me mbretin saudit Selman bin Abdulaziz, raporton Anadolu Agency (AA).
Çavuşoğlu, i cili me ftesë të mbretit ndodhet në vend për takime zyrtare, ai është takuar me mbretin Selman në rezidencën Safa në Mekë.
Në bisedën me dyer të mbyllura, bëhet e ditur se janë diskutuar kryesisht marrëdhëniet mes dy vendeve dhe zhvillimet në lidhje me krizën mes Katarit dhe disa vendeve arabe.
Në një deklaratë për gazetarët pas takimit me mbretin saudit, ministri Çavuşoğlu tha se "Kishte një mesazh nga presidenti ynë dhe kemi përcjellë mesazhin se ‘Kemi pritshmërinë se mbreti i Arabisë Saudite do ta zgjidhë këtë në mënyrën më të denjë. Edhe ne jemi të gatshëm të ofrojmë kontributin tonë për këtë".
Duke shpjeguar se ishte një bisedë jashtëzakonisht e dobishme Çavuşoğlu është shprehur "A u zgjidh problemi me këtë takim? Jo. Ka edhe vende të tjera. Aktualisht është një situatë komplekse. Kemi gjetur mundësinë të ndajmë mendimet tona në mënyrë të sinqertë, por si rezultat të dy palët kanë vënë theksin në rëndësinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, mes Turqisë dhe Arabisë Saudite. Edhe në proceset në vijim do të vazhdojmë të forcojmë edhe më shumë marrëdhëniet tona".
Ministri Çavuşoğlu edhe më parë ka kryer bisedime me liderë të Kuvajtit dhe Katarit.
Arabia Saudite, EBA, Bahreini, Egjipti dhe Jemeni më 5 qershor njoftuan ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Katarin, duke e akuzuar për "mbështetje të terrorizmit". Arabia Saudite, EBA-të dhe Bahreinin, të cilat Katarit i mbyllën hapësirën ajrore kërkuan që diplomatët e Katarit të largoheshin brenda 48 orëve nga vendet. Arabia Saudite gjithashtu mbylli kufirin e vetëm tokësorë me Katarin.