Sertaç Bulur
26 Janar 2017•Përditësim: 26 Janar 2017
ANKARA (AA) - Në ditën e 156-të të operacionit "Mburoja e Eufratit" i cili po vazhdon kundër objektivave terroriste në veri të Sirisë, Forcat e Armatosura Turke kanë asgjësuar 206 objektiva të DEASH-it dhe kanë neutralizuar 23 terroristë, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit nga Shtatmadhoria e Turqisë, ende është duke vazhduar operacioni i nisur më 24 gusht të vitit 2016 në veri të Sirisë i cili synon mënjanimin e rrezikut të kanosur nga organizatat terroriste me në krye DEASH, rritjen e sigurisë kufitare dhe mbështetjen ndaj forcave të koalicionit.
Në kuadër të operacionit, janë goditur 206 objektiva të detektuara të organizatës terroriste DEASH. Ndërkaq, janë duke u asgjësuar strehimore, pozicione mbrojtëse, qendra të kontrollit dhe komandës, si dhe armatime dhe automjete.
Komanda e Forcave Ajrore ka shënjestruar objektivat e detektuara të DEASH-it në rajonet El Bab, Bzagah, Tadif dhe Kabr al Mukri. Në operacionin ajror janë asgjësuar 19 ndërtesa të përdorura si strehimore, një artileri e kalibrit 57 milimetra, një punëtori e riparimit, një seli, një depo armësh, etj.
Në kuadër të operacionit ajror janë neutralizuar 23 pjesëtarë të DEASH-it, ndërkohë që janë asgjësuar tri autobomba që i përkisnin organizatës terroriste.
Nga ana tjetër, ekipet e detektimit dhe asgjësimit të mjeteve shpërthyese, të cilët ofrojnë mbështetje për opozitarët, kanë asgjësuar 60 bomba artizanale. Që nga dita e fillimit të operacionit deri më tani janë neutralizuar 3.209 bomba artizanale dhe 55 mina.
Bëhet e ditur që Forcat e Armatosura Turke kanë treguar kujdesin maksimal me qëllim që të mos pësojë dëme popullata civile që jeton në rajon.