Sercan İrkin
16 Prill 2026•Përditësim: 16 Prill 2026
Liderë botërorë dhe zyrtarë të lartë qeveritarë do të mblidhen në Turqi nga 17 deri më 19 prill për edicionin e pestë të Forumit të Diplomacisë në Antalya, një takim i madh ndërkombëtar në qytetin mesdhetar jugor që këtë vit fokusohet në menaxhimin e pasigurisë globale, raporton Anadolu.
Sipas burimeve diplomatike, forumi i cili do të mbahet nën kujdesin e presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë, do të përqendrohet në temën “Hartimi i së nesërmes, menaxhimi i pasigurive”.
Më shumë se 150 vende pritet të përfaqësohen, përfshirë mbi 20 krerë shtetesh dhe qeverish dhe gati 15 zv/krerë. Ngjarja do të mbledhë gjithashtu mbi 50 ministra, më shumë se 40 prej tyre ministra të jashtëm si dhe përfaqësues nga 75 organizata ndërkombëtare.
Më shumë se 460 pjesëmarrës të nivelit të lartë dhe gati 5 mijë vizitorë, përfshirë akademikë dhe studentë, pritet të marrin pjesë. Gati gjysma e krerëve të shteteve pritet të vijnë nga Afrika dhe Evropa. Rreth 40 për qind e ministrave të jashtëm pritet të jenë nga Afrika, 35 për qind nga Evropa dhe 22 për qind nga Azia.
Forumi do të përfshijë më shumë se 40 panele dhe aktivitete, përfshirë diskutime në nivel liderësh. Seancat do të mbulojnë një gamë të gjerë temash të formësuara nga dinamika politike, ekonomike, mjedisore dhe teknologjike, me fokus të veçantë në rritjen e pasigurisë dhe transformimin e sistemit global.
Punimet do të transmetohen drejtpërdrejt në faqen zyrtare të forumit dhe në platformat e mediave sociale ndërsa shumë seanca do të transmetohen edhe nga transmetuesi publik turk TRT.
Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, pritet të marrë pjesë në disa takime në margjina, përfshirë Takimin e Tretë të Ministrave të Jashtëm të Platformës së Paqes në Ballkan, një sesion për Gazën, një takim informal të ministrave të jashtëm të Organizatës së Shteteve Turkike si dhe një takim Turqi-Pakistan-Arabi Saudite-Egjipt.
Nga vendet e rajonit pritet të marrin pjesë presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova dhe ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, si dhe ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha.
Nga Serbia pritet të marrin pjesë kryeministri Gjuro Macut dhe ministri i Punëve të Jashtme, Marko Gjuriq, nga Kroacia ish-presidentja Kolinda Grabar-Kitaroviq, ndërsa nga Bosnjë e Hercegovina kreu i presidencës së BeH-së, Denis Beqiroviq, përfaqësuesi i lartë, Christian Schmid, ministri i Punëve të Jashtme, Elmedin Konakoviq si dhe anëtarët e presidencës Zheljka Cvijanoviq dhe Zheljko Komshiq.