Rabia İclal Turan
30 Korrik 2019•Përditësim: 31 Korrik 2019
Hebrenjtë e Turqisë sot shënuan 527-vjetorin e eksodit të tyre nga Spanja, ndërsa figura udhëheqëse të komunitetit rikujtuan kontributin e Perandorisë Osmane në strehimin dhe ofrimin e sigurisë gjatë asaj periudhe, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke përkujtuar ngjarjen, Moris Levi, nënkryetari i komunitetit hebre të Turqisë, tha se Perandoria Osmane i dha komunitetit të tij të drejtën e jetës, pasi ata u dëbuan nga Spanja në vitin 1492.
Duke folur për AA, Levi, i cili është gjithashtu përfaqësues i komunitetit në Drejtorinë e Përgjithshme të Fondacioneve të qeverisë, tha se nëse komuniteti i tij do të kishte qëndruar në Spanjë, ata do të ishin vrarë.
"Nëse ata do të kishin zgjedhur të migronin në botën e krishterë, ata do të kishin pësuar përsëri", shtoi ai.
Levi tha se bashkësia hebreje kishte sjellë me vete traditat, kulturën, vlerat ekonomike dhe perspektivën perëndimore andaluziane në kohën kur u strehua në rajon. Hebrenjtë sollën së bashku me ta shtypshkronjën, që ishte një makinë e rëndësishme, tha ai.
“Hebrenjtë jetuan në Andaluzinë islame për shekuj. Perandoria Osmane ishte gjithashtu një civilizim islam. Hebrenjtë e dinin që ata mund të korrnin frytet e punës së tyre të vështirë dhe gjithashtu të kontribuonin për vendin", shtoi Levi.
Ai tha se komuniteti i tij në ditët e tyre të veçanta lutet për Turqinë dhe njerëzit e saj që drejtojnë vendin, përfshirë presidentin Recep Tayyip Erdoğan.
Ndërkaq, Izzet Keribar, fotograf hebre që ka fituar çmime, tha se i detyrohet Turqisë për suksesin e tij.
“Them me zemër të hapur se e dua punën time, i dua miqtë e mi dhe mbi të gjitha e dua vendin tim. Vazhdoj ta them këtë në çdo rast. Prioriteti im është vendi ku unë jetoj. I kam borxh shumë këtij vendi", tha Keribar, i cili ka fituar Çmimin e Kulturës dhe Artit të Presidencës së Turqisë në vitin 2018.
Emri i tij u dëgjua në skenën botërore si një hebre i shquar turk, pasi fitoi çmime nga National Geographic dy herë, në vitin 1991 dhe 2000.