Turqia ka vendosur si qëllim që të mbjellë gjithsej 7 miliardë fidane në të gjithë vendin deri në fund të vitit 2023, tha sot presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan me rastin e 11 nëntorit, Ditës Kombëtare të Pyllëzimit në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një ngjarje mjedisore në Universitetin "Yildirim Beyazit" në kryeqytetin Ankara, Erdoğan tha se Turqia filloi një fushatë me idenë për një vend më të gjelbër dhe më të prosperuar.
"Ne do t'u sigurojmë vazo me fidanë dhe fara gati 12 milionë fëmijëve tanë çdo vit dhe do t'u mundësojmë atyre të rrisin fidanët e tyre", tha ai.
Me këtë fushatë, tha ai, fëmijët do të kenë rritur 8 fidanë secila gjatë periudhës së shkollës fillore dhe të mesme në të gjithë vendin.
Erdoğan theksoi se Turqia renditet e para në Evropë dhe e katërta në botë për sa i përket punëve të ripyllëzimit.
"Ne do të vazhdojmë të mbrojmë natyrën, e cila na është besuar nga Allahu, me gjelbërimin e saj, krijesat e gjalla, qytetet, bukuritë historike dhe natyrore", shtoi ai.
Presidenti Erdoğan tha se vendi i tij uli kohën e përgjigjes ndaj zjarreve në pyje nga 40 minuta në 12 minuta, duke shtuar se shpreson ta zvogëlojë atë në më pak se 10 minuta.
Ai po ashtu u lidh me autoritetet lokale në Republikën Turke të Qipros Veriore, Azerbajxhan, Shqipëri dhe Bosnjë e Hercegovinë, përmes video-lidhjes për të filluar një fushatë të ngjashme të mbjelljes së fidanëve atje.
Vitin e kaluar, publiku në Turqi mbolli 11 milionë fidanë më 11 nëntor në orën 11:11 të mëngjesit sipas kohës lokale me shpresën për të marrë frymë për të ardhmen e një Turqie më të gjelbër.