Fatih Hafız Mehmet
26 Nëntor 2018•Përditësim: 27 Nëntor 2018
STAMBOLL (AA) - Grupet e lidhura me tentativën për grusht shteti të vitit 2016 në Turqi nuk duhet të lejohen të punojnë me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), tha ministri i jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu, raporton Anadolu Agency (AA).
"Pjesëmarrja e ndonjë përfaqësuesi të lidhur me FETO-n ose të ashtuquajturat organizata qeveritare të tyre, natyrisht, nuk është çështje që ne mund ta pranojmë", tha Çavuşoğlu, duke iu referuar organizatës terroriste FETO.
Ai bëri këto komente në një konferencë për media në Stamboll së bashku me homologun e tij sllovak Mirosllav Lajçak, i cili arriti në Turqi për vizitë zyrtare. Pas pak më shumë se një muaji, Sllovakia do të marrë kryesimin e OSBE-së për vitin 2019.
Kryediplomati turk tha se i ka komunikuar homologut të tij sllovak se pjesëmarrja e grupeve të lidhura me FETO-n në platformat e OSBE-së është e papranueshme për Turqinë.
Çavuşoğlu tha se disa grupe të lidhura me FETO-n kanë marrë pjesë në platformat e shoqërisë civile të OSBE-së në vitet e mëparshme.
FETO dhe udhëheqësi i saj me bazë në SHBA, Fetullah Gülen, orkestruan puçin e dështuar të 15 korrikut të vitit 2016 në Turqi, nga i cili 251 persona ranë dëshmorë dhe rreth 2.200 u plagosën.
Ankaraja gjithashtu akuzon FETO-n për zhvillimin e një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.
Lajçak, nga ana tjetër, tha se besojnë se OSBE do të bëjë punë shumë të mirë për sigurinë në Evropë dhe Azi dhe se ata dëshirojnë pikëpamjet e Turqisë në këtë aspekt.
Ai tha se Turqia është shtet shumë i rëndësishëm i OSBE-së.
Lajçak tha se ai dhe Çavuşoğlu shkëmbyen mendime dhe diskutuan prioritetet.
Ai shtoi se është i lumtur që u prit mirë në Turqi dhe mori mbështetje për planet e tyre për kryesimin e OSBE-së.