Ekip
09 Prill 2021•Përditësim: 09 Prill 2021
Emiri i Kuvajtit i ka dërguar një letër presidentit të Turqisë duke riafirmuar dëshirën e vendit të tij për të forcuar marrëdhëniet me Ankaranë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas Agjencisë së Lajmeve të Kuvajtit (KUNA) letra u dërgua nga ministri i Jashtëm i Kuvajtit, Sheik Ahmad Nasser al-Sabah, gjatë takimit të tij me presidentin Recep Tayyip Erdoğan në kryeqytetin turk të enjten.
Mesazhi nga Shejh Nawaf al-Ahmad al-Sabah përcolli angazhimin e Kuvajtit për "marrëdhëniet e ngushta midis dy vendeve miqësore dhe mënyrat e rritjes së këtyre lidhjeve në sfera të ndryshme, si dhe çështje me shqetësim të përbashkët", theksohet më tej.
Para takimit me presidentin Erdoğan, ministri i Jashtëm i Kuvajtit dhe homologu i tij turk Mevlüt Çavuşoğlu të enjten bashkë-kryesuan një takim të Komitetit të Përbashkët për Bashkëpunim Turqi-Kuvajt në Ankara.
"Qëllimi ynë është të bashkohemi më rregullisht në një mënyrë që reflekton marrëdhëniet tona, të përdorim mekanizmat në mënyrë efektive dhe të thellojmë marrëdhëniet", tha Çavuşoğlu në një konferencë shtypi pas takimit.
Sipas zyrtarit turk, të dy palët u dakorduan të rrisin bashkëpunimin në çështjet e mbrojtjes dhe ushtrisë, kulturës, arsimit dhe shëndetësisë.
Ai po ashtu përshëndeti rolin e Kuvajtit si një ndërmjetës në çështjet rajonale, veçanërisht në normalizimin e marrëdhënieve midis vendeve të Gjirit.
Al-Sabah tha se Turqia dhe Kuvajti "kanë konsensus për çështjet rajonale dhe problemet ndërkombëtare sepse ne po përpiqemi të gjejmë një zgjidhje politike për ato çështje".