Gökhan Kavak
29 Shtator 2022•Përditësim: 29 Shtator 2022
Komuniteti i Afrikës Lindore (EAC) u bëri thirrje vendeve anëtare që të marrin masa kundër epidemisë së Ebolës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sekretari i Përgjithshëm i EAC, Peter Mathuki në një deklaratë për media u bëri thirrje vendeve anëtare që të marrin masa kundër Ebolës që ka shpërthyer në Ugandë dhe të përgatisin planet e tyre për ndërhyrje.
"Masat duhet të merren kryesisht në rajonet kufitare", tha Mathuki i cili kërkoi rritjen e testimeve dhe vëzhgimeve për të parandaluar përhapjen e epidemisë.
Që nga 19 shtatori e deri më tani për shkak të Ebolës në Ugandë kanë humbur jetën 23 persona ndërsa numri i rasteve është rritur në 36.
- Virusi Ebola
Ebola e cila shkakton një lloj ethe hemorragjike, për herë të parë u shfaq në mënyrë të njëkohshme në vitin 1976 në qytetet Nzara të Sudanit dhe në Yambuku në Republikën Demokratike të Kongos. Në RD të Kongos epidemia u emërtua me emrin e lumit Ebola për shkak se sëmundja filloi në një fshat në afërsi të lumit.
Virusi i cili shkaktoi vdekjen e qindra personave në fillim të vitit 2000 në Ugandë, së fundmi shkaktoi vdekjen e 17 personave në vitin 2012.
Ebola u përhap në Afrikën Perëndimore në dhjetor 2013. Në epideminë e shfaqur gjatë viteve 2014-2017 në Guine, Liberi dhe Sierra Leone u infektuan 30 mijë njerëz me këtë virus ndërsa mbi 11 mijë humbën jetën.