Dejan Maksimoviç
13 Shkurt 2016•Përditësim: 14 Shkurt 2016
SARAJEVË (AA) - Studimi i fundit i publikuar nga një grup ndërkombëtar shkencëtarësh ka treguar se 5.5 milionë njerëz në vit vdesin më herët për shkak të ndotjes së ajrit, raporton Anadolu Agency (AA).
Shumica e rasteve të tilla të vdekjes vijnë nga vendet ku ekonomia rritet me shpejtësi, siç janë Kina dhe India. Fajtori kryesor për të janë emetimet e grimcave të imëta nga termocentralet dhe fabrikat, gazrat e makinave dhe nga ndezja e zjarrit me anë drunjve.
"Në Pekin ose Delhi kur ndodh dita e ndotjes së madhe, grimcat e imëta të njohura si PM2.5, mund të kalojnë 300 mikrogram për metër kub. Ndotja e lejueshme është rreth 25 ose 30 mikrogram për metër kub", thotë një nga shkencëtarët e grupit studimor Dan Greenbaum nga Instituti Health Effects nga Bostoni.
Thithja e grimcave të imëta mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve të zemrës, sulmeve në tru, problemeve raspiratore, madje edhe kancerin.
Përderisa vendet e zhvilluara kanë bërë përparime të mëdha në trajtimin e këtij problemi gjatë disa dekadave të fundit, numri i njerëzve që vdesin nga ndotja e ajrit në vendet në zhvillim është në rritje.
Sipas studimit, ndotja e ajrit shkakton më shumë vdekje se sa faktorët tjerë të rrezikshëm si kequshqyerja, trashja, alkooli, droga apo marrëdhëniet seksuale pa mbrojtje.
Prandaj, projekti i Global Burden of Diseas (Barra Globale e Sëmundjeve) ndotjen e ajrit e vendos në vend të katërt pas rrezikut të presionit të lartë të gjakut, rreziku i dietës dhe pirja e duhanit.