Bekim Laci
07 Prill 2016•Përditësim: 07 Prill 2016
TETOVË (AA) - Me rastin e 7 Prillit, Ditës Botërore të Shëndetit, sot në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë të Universitetit Shtetëror të Tetovës u mbajt aktiviteti shkencor me temë: "Ta mundim diabetin”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ky takim u organizua nga Grupi shkencor i Parlamentit Studentor të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, ku për këtë sëmundje, para auditorit folën Spec. dr. Irfan Ahmeti, Doc. dr. Florim Cuculi dhe Spec. dr. Beqir Mahmudi.
Dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Prof. dr. Nasir Bexheti i falënderoi profesorët për gatishmërinë që kanë treguar për të marrë pjesë në këtë aktivitet shkencor, duke theksuar se nga këto takime, jo vetëm që përfitojnë studentët e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, por edhe popullata në përgjithësi, ngase, përmes aktiviteteve të ndryshme që realizojnë studentët edhe popullata ka dobi.
Spec. dr. Irfan Ahmeti nga Klinika Universitare e Shkupit nga ana e tij tha se është shumë e rëndësishme që të luftohet sëmundja e diabetit. Ai shtoi se diabeti është një sëmundje multifaktoriale, me etiologji të ndryshme, duke u gërshetuar edhe me faktorët trashëgues dhe faktorët ambiental.
“Qasja e diabetit duhet të jetë e shumanshme. Siç e dimë, diabeti është një emergjencë globale, për arsye se nga dita në ditë rritet numri i njerëzve me diabet. Në vitin 2014 kishim diku 382 milionë njerëz me diabet, ndërsa më 14 nëntor të vitit të kaluar Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Organizata Ndërkombëtare për Diabet e shpallën numrin e të prekurve nga diabeti rreth 415 milionë në botë, ndërsa parashikimet për vitin 2030 janë se numri i të sëmurëve nga diabeti do të arrijë rreth 640 milionë të prekur nga kjo sëmundje”, tha Ahmeti.
Doc. dr. Florim Cuculi nga Universiteti i Bazelit, në këtë tribunë foli për sëmundjet koronare te të sëmurët me diabet. “Siç dihet, diabeti është një faktor rreziku shumë i madh për sëmundjen koronare. Kjo sëmundje koronare, përveçse trajtohet me medikamente, kur janë pacientët simptomatikë ajo trajtohet edhe me stend, me PCI, ose trajtohet me bajpas. Pra, me dy mënyra, ose tani praktikohet edhe me kombinimin e të dyjave”, tha Cuculi.
Ndërsa Spec. dr. Beqir Mahmuti, nga Klinika Universitare në Tetovë, foli për rolin e bashkëpunimit mjek – pacient për trajtimin e suksesshëm të diabetit.
“Ne të gjithë merremi me mjekimin e sëmundjeve të ndryshme dhe kemi bashkëpunime të ndryshme me pacientët, por bashkëpunimi me pacientët me diabet është pak më i veçantë. Pse themi se ky bashkëpunim është më i veçantë? E themi se tek të gjitha sëmundjet tjera pacienti është bashkëpunëtor pasiv, kurse te diabeti pacienti 24 orë është bashkëpunëtor aktiv”, deklaroi Mahmuti.
Në këtë tribunë shkencore mori pjesë edhe prorektori për Arsim dhe Shkencë i USHT-së, Prof. dr. Reshat Qahili, mjekë, profesorë dhe studentë të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë.