Agon Fehmiu
12 tetor 2015•Përditësim: 12 tetor 2015
PRISHTINË (AA) – I dërguari i posaçëm gjerman për Ballkanin Perëndimor, ambasadori Ernst Reichel, vizitën zyrtare në Kosovë e ka filluar duke u takuar me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin, raporton Anadolu Agency (AA).
Nga kabineti i Veselit është bërë me dije se pas takimit nuk do të ketë prononcime për mediat, të ambasadorit Reichel dhe kryeparlamentarit Veseli.
Megjithatë, vizita e e emisarit special gjerman për Ballkanin Perëndimor, vjen vetëm disa ditë pas ngjarjeve në Kuvendin e Kosovës, të cilat Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kishin cilësuar si të dhunshme dhe jodemokratike.
Përmes postimit në faqen e tij në rrjetin social Facebook, ambasadori Reichel kishte kritikuar veprimet e opozitës kosovare, në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se në demokraci politikat ndryshohen vetëm duke i bindur votuesit dhe fituar zgjedhjet dhe jo me veprime të dhunshme.
“Opozita nuk pajtohet me Qeverinë, si zakonisht. Por në sisteme demokratike, ndërrimi i politikave nënkupton t’i bindësh votuesit dhe t’i fitosh zgjedhjet e ardhshme. Nëse tani opozita ka sulmuar me gaz lotsjellës, çfarë forme të dhunës do të përdorin më pas? Me çfarë justifikimi beson opozita që mund t’ia imponojë vullnetin e saj një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike që përfaqëson shumicën e votuesve?” kishte shkruar Reichel.
Pas takimit me kryeparlamentarin Veseli, i dërguari i posaçëm gjerman për Ballkanin Perëndimor do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë të institucioneve të Kosovës.