Sibel Vezaj
21 Tetor 2016•Përditësim: 21 Tetor 2016
PRISHTINË (AA)- Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot vizitoi "punëtoritë e demokracisë", ku zhvillohet programi për edukimin e të rinjve për demokracinë parlamentare, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë këtij takimi të rinjtë diskutuan me kryeparlamentarin Veseli për punën e cila zhvillohet në Kuvend, për detyrat e deputetëve dhe të kryetarit, për mënyrat e zgjedhjes së tyre dhe rreth çështjes së përpilimit të ligjeve. Me këtë rast të rinjtë parashtruan disa pyetje për Veselin, i cili informoi pjesëmarrësit e rinj për proceset dhe çështjet demokratike të parlamentit.
Ai së pari njoftoi nxënësit për mënyrën e funksionimit të Kuvendit, të zgjedhjes së kryetarit dhe deklaroi se "Të drejtat dhe detyrimet e mia janë si të 120 deputetëve të tjerë. Unë vetëm në bazë të rregullores së punës dhe Kushtetutës së Kosovës i përcjell punimet e Kuvendit në mënyrë që të procedojmë administrativisht në fushën e legjislacionit, në ligje të cilat nxirren dhe votohen në Kuvend".
Kurse duke folur rreth marrëdhënieve mes deputetëve, kryeparlamentari tha se “Marrëdhëniet janë të mira me deputetët për arsye se ne si të zgjedhur të popullit kemi obligime që të përfaqësojmë vullnetin e popullit. Detyrimisht jemi të obliguar të mendojmë për të mirën e fëmijëve si ju, të mirën e prindërve tuaj të cilët punojnë shumë për ta bërë Kosovën çdo ditë më të bukur. Ne duhet të kemi marrëdhënie të mira me deputetët për arsye se kemi një qëllim të përbashkët i cili është jeta më e mirë e fëmijëve në vendin tonë".
Ndërsa pyetjes “A e drejtoni Kuvendin mirë”, Veseli iu përgjigj se “Unë mundohem ta drejtoj Kuvendin mirë dhe të zbatoj interesat e qytetarëve të vendit tim dhe gjithmonë ta zbatoj Kushtetutën dhe rregulloren e punës. Nganjëherë e shkel rregulloren sepse ua japi më shumë fjalën deputetëve sesa që thotë rregullorja, por e bëj meqë ata të flasin sepse kemi vuajtur shumë për të folur e për demokraci".
Në fund të takimit, Veseli iu drejtua fëmijëve duke thënë se “Kuvendi i Republikës së Kosovës, është shtëpi e popullit të Kosovës”.