Bekim Laci
20 Janar 2016•Përditësim: 21 Janar 2016
SHKUP (AA) - Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgji Ivanov ka pranuar sot letrat kredenciale të ambasadorëve të sapoemëruar të Finlandës, Zvicrës, Estonisë dhe Irlandës, raporton Anadolu Agency (AA).
Në takimin me ambasadorin e Finlandës, Perti Ikonen, Ivanov ka theksuar mundësinë e intensifikimit të marrëdhënieve mes të dy shteteve, në veçanti në sferën e ekonomisë, ndërsa ka falënderuar ambasadorin finlandez për përkrahjen e shtetit të tij për aspiratat euro-atlantike të Maqedonisë.
“Për ne, ishte e një rëndësie të veçantë ndarja e përvojave finlandeze që u realizua në kuadër të ndihmës zhvillimore të Finlandës me anë programit Tuining”, tha Ivanov.
Ambasadori Ikonen nga ana e tij, tha se ekspertët finlandez punojnë në Shkup në mënyrë që Maqedonia të arrijë rezultate të mira në fusha të ndryshe të përfshira në programin Tuining.
Në takimin me ambasadorin e sapoemëruar të Konfederatës Zvicerane, Sybille Suter Tejada, presidenti Ivanov u shpreh i kënaqur me zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimin mes të dy vendeve në vitet e fundit.
"Faleminderojmë për përkrahjen zhvillimore të qeverisë zvicerane, e cila zgjatë me vite, pasi në Maqedoni janë realizuar projekte të shumta në fusha të ndryshme", tha Ivanov.
Në këtë drejtim, ambasadorja Suter Tejada njoftoi se vendi i saj në katër vitet e ardhshme do të vazhdojë programin e bashkëpunimit me Maqedoninë, ku do të ndajë 71 milionë franga zvicerane.
"Marrëdhëniet e deritanishme Maqedoni - Estoni shënojnë zhvillim të suksesshëm", tha Ivanov në takim me ambasadorin e sapoemëruar të Republikës së Estonisë, Daniel Eric Shaer dhe shprehu besimin se me përpjekje të përbashkëta, bashkëpunim do të forcohet.
“Estonia i njeh vështirësitë me të cilat ballafaqohet Maqedonia si rezultat i krizës me emigrantët dhe sfidave për gjetjen e zgjidhjeve afatgjata për lehtësimin e krizës në rajon”, deklaroi Daniel Eric Shaer.
Në takimin me ambasadorin e sapoemëruar të Irlandës, Derek Filli, presidenti Ivanov u shpreh i kënaqur nga marrëdhëniet stabile mes Maqedonisë dhe Irlandës.
“Dua të theksoj bindjen time se mes vendeve tona ka ende potencial të pashfrytëzuar dhe hapësirë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit në këtë drejtim. Unë jam i bindur se angazhimi juaj do të jetë i një rëndësie të madhe”, tha Ivanov.
Ambasadori irlandez nga ana e tij theksoi se Irlanda vlerëson arritjet e Maqedonisë në sferën ekonomike, dhe në të ardhmen do të fokusohet në thellimin e bashkëpunimit bilateral në të gjitha sferat që janë në interes të ndërsjellë.
Presidenti Ivanov ambasadorëve të sapoemëruar u dëshiroi sukses në kryerjen e detyrës dhe shprehu shpresën se përpjekjet e tyre do të kontribuojnë për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe.