Agon Fehmiu
05 Prill 2016•Përditësim: 05 Prill 2016
PRISHTINË (AA) - Komisioni parlamentar për Integrime Evropiane të Kosovës, sot ka pritur në takim delegacionin e Grupit të Miqësisë të Parlamentit Gjerman për marrëdhëniet me shtetet e Evropës Juglindore, raporton Anadolu Agency (AA).
Fillimisht, kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Teuta Sahatqija, njoftoi mysafirët me situatën aktuale në vend, fillimin e zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim (MSA) dhe potencoi domosdoshmërinë e liberalizimit të vizave të Bashkimit Evropian (BE) për qytetarët e Kosovës.
Po ashtu, ajo informoi delegacionin e parlamentarëve gjermanë për pengesat që shteti i Serbisë po ia bënë Kosovës, për anëtarësimin në organizatat të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, në emër të delegacionit gjerman, Peter Weiss shprehu shqetësimet e tyre për situatën aktuale në Evropë dhe krizën e refugjatëve. Lidhur me këtë, Weiss ka kërkuar ndihmë dhe zgjidhje të përbashkët të problemit të refugjatëve ilegal nga Kosova.
Gjithashtu, ai theksoi nevojën që të gjendet një mënyrë për t’i ndihmuar Kosovës në pranimin e shtetësisë së saj nga edhe 5 shtetet tjera anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Ndërkohë, anëtarët tjerë të Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane i Kosovës, Xhavit Haliti, Ilir Deda, Vjosa Osmani dhe Arben Gashi, shprehen shqetësimet lidhur me anashkalimin e problemeve të Ballkanit Perëndimor, pas shpërthimit të krizës së refugjatëve në Evropë, si dhe shqetësimin rreth miratimit të amendamenteve të paraqitura nga delegacioni i Serbisë në Këshillin e Evropës, që u votuan edhe nga përfaqësuesit e Gjermanisë.
Anëtarët e Komisionit kërkuan edhe një sqarim rreth raportit të BE-së për Kosovën, si dhe krijimin e një cikli të besueshëm të bashkëpunimit.
Lidhur me këto çështje, anëtaret e delegacionit të Grupit të Miqësisë të Parlamentit Gjerman për marrëdhënie me shtetet e Evropës Juglindore u zotuan se “Bundestagu gjerman do të vazhdoj të mbështes Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave dhe në procesin e integrimit evropian”.
Ata gjithashtu potencuan rëndësinë e madhe që e ka bashkëpunimi rajonal dhe politika e fqinjësisë së mirë, në kuadër të integrimeve në BE. Delegacioni i deputetëve gjermanë rikonfirmoi hapur mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën në rrugëtimin drejt integrimit euro-atlantik.