Nazmi Abduramani
14 prill 2016•Përditësim: 15 prill 2016
SHKUP (AA) - Misioni i OSBE-së në Maqedoni sot përmes një njoftimi reagoi lidhur me vendimin e presidentit të Maqedonisë Gjorge Ivanov për të falur politikanët nga ndjekja penale, raporton Anadolu Agency (AA).
Shefja e Misionit të OSBE-së në Shkup, Nina Suomalainen, në kumtesë thekson se është e njoftuar me 41 vendime të presidentit Gjorge Ivanov, të shpallura dje në 'Gazetën Zyrtare', me të cilin falen 56 persona.
Më tej në njoftimin thuhet se “Presidenti lajmëroi se qëllimet e tij janë që të kontribuojë për zgjidhjen e krizës rrjedhëse, por megjithatë, qytetarët kanë të drejtë të shohin se përgjegjësia politike dhe juridike është duke u kryer. Gjyqësorit, si dhe zyres së Prokurorisë Speciale Publike, doemos duhet t’i lejohet që të vazhdojnë të kryejnë punën e tyre të rëndësishme, në pajtim me parimin e pavarësisë dhe paanshmërisë”.
Hetimet, siç thuhet më tej në njoftim, lidhur me rastet të cilat dalin nga përmbajtja e ndjekjes së paligjshme të komunikimeve, dhe rastet gjyqësore të cilat vijojnë më tej, duhet të ndihmojnë që të kthehet besimi i qytetarëve në sundimin e së drejtës dhe në funksionimin e sistemit të paanshëm juridik.
Kreu i Misionit të OSBE-së në Shkup, Nina Suomalainen në njoftimin e saj shton se “ne i inkurajojmë të gjitha palët që të veprojnë në mënyrë konstruktive dhe të mundësojnë që parimet e sundimit demokratik dhe sundimi i së drejtës të mbizotërojnë. Qytetarëve u bëhet thirrje që të përmbahen nga dhuna derisa e shfrytëzojnë të drejtën e tyre të garantuar me Kushtetutë për protestë”.
Në fund thuhet se fokusi i të gjitha përpjekjeve duhet të jetë interesi i shtetit dhe qytetarët e tij.