SHKUP (AA) – Sekretariati i Republikës së Maqedonisë për Çështje Evropiane filloi debatin e parë nga cikli “BE bisedime” (EU Talks) në drejtim të BE Agjendës 2015 që është lajmëruar në muajin janar të këtij viti, me temë “BE mbetet prioriteti ynë”, raporton Anadolu Agency (AA).
Debati udhëhiqej nga zv. kryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi dhe përfaqësues të sekretariatit, ndërsa pjesëmarrës në debat ishin edhe pjesëmarrës nga sektori qytetar dhe bashkësisë akademike.
Zv. kryeministri Fatmir Besimi për mediat tha se aktiviteti i sotëm është një cikël i debateve publike, të cilët Sekretariati për Çështje Evropiane do t’i realizojë me përfaqësues të ndryshëm të shoqërisë, siç janë sektori publik, sektori akademik, ai i biznesit, si dhe përfaqësues të ndryshëm si analist, profesorë dhe politikan të tjerë të cilët do të japin vështrimet e tyre lidhur me procesin e integrimit.
“Sot ne fillojmë me temën e parë e cila është, Bashkimi Evropian mbetet prioriteti i Republikës së Maqedonisë, me qëllim që në këto rrethana dhe në këtë situatë edhe njëherë të fokusojmë dhe potencojmë që është jashtëzakonisht e rëndësishme ajo që qytetarët presin në Republikën e Maqedonisë. Ajo është që Maqedonia të ecë drejt Bashkimit Evropian dhe drejt vlerave evropiane”, deklaroi zv. kryeministri Fatmir Besimi.
Në pyetjen se çfarë ndihme mund të ofrohet nga BE-ja për zgjidhjen e krizës politike në vend, Besimi duke veçuar relacionin e Maqedonisë me BE-në si një relacion i parneritetit, tha se: “Të gjitha çështjet të cilat shqyrtohen në këtë drejtim, në kuadër të integrimeve, siç janë 33 kapituj ku bën pjesë edhe aspekti, gjerësisht kriteret politike dhe ekonomike të Kopenhagenit janë temat të cilat Bashkimi Evropian i llogarit si partner me qëllim që vendet kandidate apo vendet të cilat pretendojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian të i menaxhojnë bashkë me sukses”.
Ai gjithashtu shtoi se deklaratat dhe mesazhet që vijnë nga Brukseli janë me rëndësi që Maqedonia të mbajë kursin e integrimeve evropiane, pasi që sipas tij është në interes të vendit, por edhe të rajonit dhe Bashkimit Evropian.
“Mendoj se situata është komplekse, është serioze dhe duhet të merren gjithashtu parasysh deklaratat që vijnë edhe nga Brukseli edhe nga Uashingtoni. Sa i përket gjendjes dhe mënyrës se si duhet Maqedonia të dalë nga kjo situatë, çështja jashtëzakonisht e rëndësishme është që të mbajmë kursin,, gjerësisht mos devijimin nga ky kurs”, u shpreh Besimi.
Sipas tij, kriza politike në Maqedoni kërkon një qasje tre dimensionale, si në aspektin politik, juridik dhe atë ndërkombëtar. Besimi shprehu bindje se këto komponentë do të mund Maqedoninë ta largojnë nga kjo krizë politike dhe të drejtojnë vendin në kursin e duhur, atë të integrimit evropian.