Aysu Biçer
22 Korrik 2025•Përditësim: 23 Korrik 2025
LONDËR (AA) – Ozzy Osbourne, frontmeni legjendar i grupit “Black Sabbath” dhe një nga figurat britanike më me ndikim në muzikën “heavy metal”, ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare, njoftoi familja e tij, transmeton Anadolu.
“Me trishtim të thellë që fjalët nuk mund ta shprehin, ju njoftojmë se i dashuri ynë Ozzy Osbourne ndërroi jetë këtë mëngjes. Ishte pranë familjes dhe i rrethuar me dashuri. Kërkojmë nga të gjithë të respektojnë privatësinë e familjes sonë në këtë moment”, thuhet në deklaratën e familjes.
I lindur si John Michael Osbourne më 3 dhjetor 1948 në Aston, Birmingham, Osbourne u ngrit nga një jetë e thjeshtë në yll ndërkombëtar.
Ai e braktisi shkollën në moshën 15-vjeçare dhe punoi në profesione të ndryshme, përfshirë edhe në një fabrikë, përpara se të formonte grupe muzikore me shokun e tij të shkollës dhe basistin e ardhshëm të grupit “Black Sabbath”, Geezer Butler.
Fama i erdhi në fillim të viteve 1970 si vokalist i “Black Sabbath”, grup që do të bëhej themelues i zhanrit “heavy metal”.
Me tingullin e tyre të errët dhe revolucionar, grupi fitoi famë ndërkombëtare dhe sukses komercial. Osbourne mori nofkën “Princi i Errësirës”, epitet që e shoqëroi gjatë gjithë karrierës së tij pesëdekadëshe.
Më herët këtë muaj, ai u rikthye në skenë me “Black Sabbath” për atë që rezultoi të ishte koncerti i tyre i fundit, më 5 korrik në Villa Park të Astonit. Ishte hera e parë pas 20 vitesh që ai performoi me grupin.