Sibel Vezaj
08 Tetor 2016•Përditësim: 09 Tetor 2016
PRISHTINË (AA)- Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, përgëzoi Kuvendin, i cili sipas tij, së bashku me Qeverinë pas 17 vitesh të çlirimit të vendit arriti t’ia japë drejtimin e duhur zhvillimit të Trepçës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Këto komente Kryeministri Mustafa i ka shprehur në profilin e tij në rrjetin social Facebook, duke vënë në dukje se dje ishte një ditë e rëndësishme për të ardhmen e Trepçës.
“Aprovuam një ndër ligjet më të mira në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Ligjin e Trepçës. Trepça na bashkoi të gjithëve, ata që e përkrahën, por edhe ata që nuk e përkrahën ligjin”, ka shkruar Mustafa.
Ai gjithashtu ka vlerësuar kontributin e deputetëve të partive opozitare si Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe të atyre të NISMA-s dhe shtoi se deputetët e Listës Serbe prezantuan qëndrimet e tyre për ligjin, e cila është e drejta e tyre demokratike.
“Akoma nuk i kemi përfunduar të gjitha punët e shtetndërtimit tonë, prandaj na nevojitet një bashkëpunim dhe unitet më i lartë për tema që janë në interes të të gjithëve”, ka shkruar në fund Mustafa.
Në anën tjetër, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, në një konferencë të mbajtur për media ka deklaruar se vendimi i marrë ne seancën e djeshme është i pavlefshëm. Ai shtoi se Qeveria e Serbisë do të kërkojë një takim urgjent nga Këshillit i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, rreth kësaj çështjeje.
Duke theksuar se me këtë vendim është shkelur rezoluta 1244 e cila ka garantuar paqen në vend, Gjuriç u shpreh se nëse kjo çështje nuk do të bisedohet në Bruksel, atëherë do të bisedohet në OKB.
Kuvendi i Republikës së Kosovës dje miratoi Ligjin për Trepçën, nëpërmjet të cilit Qeveria e Kosovës do të ketë 80 për qind të aksioneve, ndërsa 20 për qind të tyre punëtorët e Trepçës.