Malik Hasa
21 Mars 2016•Përditësim: 22 Mars 2016
TIRANË (AA) - Ministri i Punëve te Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, po zhvillon një vizitë dyditore në Greqi, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ditën e parë të vizitës së tij zyrtare kreu i diplomacisë së Shqipërisë, u takua me Presidentin, Prokopios Pavlopoulos, kryetarin e Parlamentit, Nikos Voutsis dhe ministrin e Punëve të Jashtme të këtij vendi, Nikos Kotzias.

Sipas një njoftimi nga zyra e shtypit të MPJ të Shqipërisë takimi mes dy ministrave të jashtëm u përqendrua në vijimin e procesit të nisur, të trajtimit pa tabu dhe gjetjes së zgjidhjeve për çështjet e trashëguara mes palëve, çështjet e aktualitetit dhe të së ardhmes të përbashkët të dy vendeve, bashkëpunimit ekonomik, zhvillimet në rajon dhe integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.
Në njoftim thuhet gjithashtu se palët shprehën rëndësinë e vijimit të dialogut midis dy qeverive të vendeve, në kuadër të rritjes së frymës së besimit dhe nevojës së konkretizimit të veprimit, për të avancuar drejt zgjidhjeve për çështjet dypalëshe.
Në deklaratë thuhet se dy ministrat ndanë vlerësimin e përbashkët se fuqizimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve me rëndësi strategjike ndërmjet vendeve fqinjë, anëtarë të NATO-s, dhe gjithnjë e më afër në planin evropian, është me rëndësi jo vetëm në planin dypalësh, por i shërben edhe një rajoni të vendosur të shohë përpara e të ndërtojë, përmes bashkëpunimit, të ardhmen e vet evropiane.
"Ministri Bushati ka theksuar vëmendjen e veçantë që Shqipëria i kushton thellimit të bashkëpunimit strategjik me Greqinë si dy vende fqinje anëtare të NATO-s dhe me peshë specifike në rajon. Bazuar në këtë këndvështrim, ne do të dëshironim të bënim hapa para me disa çështje me karakter historik, që për disa dekada nuk janë adresuar, të aktualitetit, dhe çështje të së ardhmes sonë të përbashkët, është shprehur ministri Bushati"- thuhet në njoftimin zyrtar të MPJ të Shqipërisë.
Në vijim, duke u ndalur në trajtimin e çështjeve dypalëshe, ministri Bushati është shprehur gjithashtu se: "Jam shpresëplotë që me palën greke do të avancojmë me abrogimin e ligjit të luftës, për të na dhënë mundësinë që të mbyllim kështu çështjet e kapitujve historikë, të Luftës së Dytë Botërore”.