Fatjon Cuka
28 Gusht 2017•Përditësim: 29 Gusht 2017
TIRANË (AA)- Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, dekretoi sot Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçakun në postin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Kollçaku, ka "një karrierë të gjatë e të spikatur ushtarake."
Aktualisht ai mban postin e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Inteligjencës, Sigurisë dhe Mbrojtjes.
"Në kuadër të NATO-s, detyra e tij e fundit ka qenë drejtor i Divizionit të Koordinimit dhe Integrimit në Komandën Supreme të Aleancës së NATO-s në periudhën 2013-2014. Nga tetori 1996 deri në prill 1997 me gradën e atëhershme të Kolonelit, Gjeneral Brigade Kollçaku shërbeu si vëzhgues ushtarak në Misionin e OKB-së në Gjeorgji", thuhet në njoftim.
Gjithashtu theksohet se Kollçaku, ka ndjekur dhe është diplomuar edhe në Kolegjin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm të SHBA-ve, Kolegjin e Forcave të Armatosura të Përbashkëta, Kursin e Kombinuar të Inteligjencës Strategjike pranë Agjencisë së Zbulimit Ushtarak të SHBA-ve, si dhe Kursin Ekzekutiv të Studimeve Strategjike të Sigurisë Evropiane në Qendrën “Xhorxh C. Marshall”.