Malik Hasa
29 Janar 2016•Përditësim: 30 Janar 2016
TIRANË (AA) - Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka miratuar një rezolutë për nderimin dhe mirënjohjen nga Republika e Shqipërisë për figurën e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, e cila është zbardhuar sot nga zyra e shtypit e Kuvendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Rezoluta mban në konsideratë rëndësinë madhore të shtetit të Kosovës në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe për stabilitetin e rajonit të Ballkanit, si edhe nderon me mirënjohje rolin e jashtëzakonshëm e udhëheqës të ish-presidentit Ibrahim Rugova, në rrugëtimin e shqiptarëve drejt shtetit të pavarur të Kosovës.
Kuvendi i Shqipërisë vlerëson punën intelektuale dhe aktivitetin politik e shtetëror të Ibrahim Rugovës dhe riafirmon mbështetjen e plotë për rrugëtimin europian dhe euroatlantik të Republikës së Kosovës si dhe vlerëson mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë në këtë proces.
“Duke përqafuar trashëgiminë e veprës së tij thelbësore për konsolidimin e shtetit të pavarur të Kosovës dhe duke çmuar kontributin, vlerat dhe sakrificat e popullit të Kosovës, si dhe të patriotëve të shquar të saj Kuvendi i Shqipërisë nderon me mirënjohje të thellë kombëtare dhe me krenari patriotike punën intelektuale, politike dhe shtetërore të Presidentit Ibrahim Rugova. Gjithashtu, Kuvendi i Shqipërisë mbështet nismën për vendosjen e shtatores së Presidentit Rugova në një nga sheshet kryesore të qytetit të Tiranës dhe i sugjeron Bashkisë së Tiranës të finalizojë këtë nismë”, - shkruhet në rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë mbrëmë.