Kosovë, debati për demarkacionin më 3 gusht
Kryeparlamentari Veseli tha se në këtë tryezë do të diskutohet për të rritur konfidencën dhe për t’i qartësuar të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me shënimin e kufiritSibel Vezaj
15 Korrik 2016•Përditësim: 15 Korrik 2016
PrishtinëPRISHTINË (AA) - Kryesia e Kuvendit të Kosovës sot mbajti mbledhjen e radhës, të cilën e filloi me një minutë heshtje për viktimat e sulmit terrorist në Francë, duke u solidarizuar me familjet e viktimave, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencën e mbajtur për media, pas mbledhjes së Kryesisë, kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, shprehu reagimin ndaj sulmit jonjerëzor në Francë, duke theksuar se ky sulm është edhe sulm ndaj Kosovës dhe ndaj vlerave njerëzore.
Veseli bëri të ditur se në mbledhje është përcaktuar një seancë plenare e cila do të mbahet më 4 gusht dhe se me datën 3 gusht do të mbahet tryeza e rrumbullakët ku do të diskutohet çështja e Demarkacionit, në të cilën do të marrin pjesë deputetët dhe do të jetë e hapur si për organizatat qeveritare dhe joqeveritare, ashtu edhe për mediat.
Ai theksoi se në këtë tryezë do të diskutohet lirshëm për të rritur konfidencën dhe për t’i qartësuar të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me shënimin e kufirit.
“Rëndësia në këtë proces nuk është vetëm shënimi i kufijve por rritja e konfidencës tek të gjithë qytetarët tanë dhe në të njëjtën kohë është interesi ynë kombëtar që të kemi mbrojtjen e territorit të Republikës së Kosovës dhe të interesave të qytetarëve tanë”, u shpreh Veseli.
Ai shtoi se si partnerë të koalicionit është e natyrshme se mund të ketë mendime të ndryshme, dhe se vendimmarrja në Kuvendin e Kosovës do të jetë individuale e çdo deputeti. Veseli tha se nuk ka nevojë as për t’u vonuar por as për të shpejtuar sepse kjo mund ta kthejë mbrapa shtetin e Kosovës.
Duke vënë në dukje se që nga shtatori i vitit të kaluar nuk është mundur që në Kuvend të diskutohet lirshëm çështja e demarkacionit dhe e asociacionit, Veseli bëri të ditur se ky propozim për tavolinën e diskutimit u nënshkrua nga deputetët e të gjithë partive.
“Procedimi në Kuvend i çështjes së Demarkacionit do të jetë shumë transparent. Nuk do të ketë asnjë befasi. Njëherë do të mbahet mbledhja e kryesisë së Kuvendit, e cila do të përcaktohet si rend i ditës. Të jeni të sigurtë se do të shkojmë të kërkojmë atë çka është më e mirë për interesat e qytetarëve dhe interesat e vendit dhe në të njëjtën kohë për partneritetin me fqinjët tanë, në mënyrë të veçantë siç kemi raporte të shkëlqyeshme me Republikën e Malit të Zi”, u shpreh në fund Veseli.
Ndërkohë Aida Dërguti, nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, u shpreh se në mbledhje u dakordua që tryeza për Demarkacionin do të jetë një debat profesional-shkencor, ku njërën anë do të jetë i ftuar komisioni për Demarkacionin dhe në tjetrën anë ekspertët e fushës, të cilët gjatë gjithë kësaj kohe kanë sjellur argumente në kundërshtim të kësaj marrëveshjeje.
“Shumica e deputetëve të pozitës dhe të opozitës nuk janë deklaruar nëse janë 'pro' ose 'kundër' Demarkacionit. Pikërisht ky debat do të shërbejë edhe në formimin e opinionit të tyre të qartë”, u shpreh Dërguti.
Në seancën plenare të 7 korrikut, deputeti i LDK-së Shpejtim Bulliqi kërkoi nga kryeparlamentari i Kosovës, Veseli, që të organizojë një takim apo një tryezë diskutimi në mes të Komisionit shtetëror dhe të ekspertëve për ta shqyrtuar çështjen e demarkacionit.