PRISHTINË (AA) - Sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Kerry, sot në Prishtinë ka porositur se shteti i tij e përkrah dialogun ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar po ashtu se Kosova ka arritur përparim të madh në kuadër të integrimeve evropiane me nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, raporton Anadolu Agency.
“Kjo fitore është rezultat i vullnetit të Kosovës që të bëjë përparim në dialog me Serbinë, nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian. Ne jemi të vetëdijshëm se marrëveshjet që i ka nënshkruar Kosova nuk ishin aspak të lehta dhe se ato janë vendime të vështira. Ne e kuptojmë këtë, mirëpo aftësia që kjo të bëhet për të mirën e vendit quhet lidership” ka thënë Kerry.
Sekretari i shtetit amerikan, gjatë drejtimit të tij për medie, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafën, pas takimit që këta dy e patën në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ka theksuar se SHBA-të nuk do ta përkrahnin asnjë marrëveshje e cila do të rrezikonte sovranitetin, sigurinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Së bashku, ne kemi investuar shumë për ardhmërinë e Kosovës dhe nuk do ta rrezikojmë atë” ka thënë ai.
Kerry ka theksuar se dhuna është e papranueshme dhe që, duhet të respektohet sundimi i ligjit dhe liria e fjalës në Kuvend, sikurse edhe e drejta për protesta të qeta, që janë themel i çdo demokracie.
“Dialogu është i nevojshëm në demokraci, por në veçanti në Kuvend i cili është vend i shenjtë i demokracisë, duke respektuar njëri-tjetrin. Kuvendi nuk është vend për gaz lotsjellës, nuk është vend për frikësim. Të gjitha palët duhet të distancohen nga përdorimi i dhunës në jetën publike dhe duhet të komunikojnë njëri me tjetrin në mënyrë të qetë” ka potencuar Kerry.
Për Kosovën është më e rëndësishme, ka theksuar ai, që të gjendet rruga e përbashëkt në mënyrë që të gjithë qytetarët të trajtohen në mënyrë të njëjtë, pavarësisht nga pozita e tyre në institucione dhe jetën e përditshme, përkatësia etnike apo gjinore apo edhe orientimi seksual.
Kerry ka porositur po ashtu se, nga Kosova kërkohet që të themeloj Gjykatën Speciale e cila do të hetojë akuzat lidhur me krimet e luftës së fundit sepse, vetëm kështu mund të vij deri tek pajtimi i përgjithshëm ndërsa shtoi se, nga Kosova kërkohet edhe lufta e vendosur kundër korrupsionit.
Lidhur me luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, Sekretari i Shtetit të SHBA-ve ka lavdëruar Kosovën.
“Dëshiroj t’iu them se Kosova është një shembull i mirë për rajonin, duke arrestuar persona të ndryshëm lidhur me terrorizëm dhe duke vendosur standard të lartë në rajon” ka thënë sekretari amerikan dhe ka porositur se, të gjithë së bashku duhet të bëjmë shumë më tepër në mënyrë që të shkatërrohet DAESH-i.
Në takim me sekretarin Kerry, përveç kryeministrit Mustafa, ishin edhe dhe dy zëvendësit e tij, Hashim Thaçi, njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme dhe Branimir Stojanoviç, zëvendëskryeministër nga komuniteti serb i Kosovës.
Kerry është takuar edhe me një grup të rinjve kosovar të cilët kanë studiuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose kanë qenë bursistë të programeve të ndryshme për lider të rinj, të financuara nga ambasada amerikane në Kosovë.
Kerry i ka cilësuar këta të rinj si faktorë të rëndësishëm që do ta ndihmojë zhvillimin e Kosovës në të ardhmen.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e ka falënderuar sekretarin Kerry për Vizitë dhe ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën që e ka dhënë për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, si dhe ndihmën e vazhdueshme që po e jep në zhvillimin e vendit.
Mustafa ka theksuar se Kosova është shtet i gjithë qytetarëve të saj dhe se dialogu me Serbinë do të vazhdojë, sikurse edhe integrimi i serbëve në shoqërinë kosovare.
“Përkundër veprimit të dhunshëm të opozitës, për t’iu kundërvërë themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur që të vazhdoi dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ndërsa marrëveshjet mbetet të shqyrtohen nga organet e pavarura sikurse është Gjykata Kushtetuese dhe komisionet profesionale” ka thënë Mustafa
Krejt në fund, duhet theksuar edhe kërkimin e faljes të sekretarit John Kerry për vizitë kaq të shkurtër, për shkak të agjendës jashtëzakonisht të ngjeshur, sepse sipas tij, Kosova meriton një vizitë më të gjatë.
Sekretari i shtetit i Shteteve të Bashkuara të Kosovës, John Kerry sot ka arritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” rreth orës 15, ku është pritur nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, si dhe nga Garda e Nderit e Forcës së Sigurisë së Kosovës, me nderime më të larta shtetërore.
Kjo është vizita e tretë e sekretarëve të shtetit të SHBA-ve në Kosovë, brenda shtatë viteve të fundit, gjatë presidencës së kryetarit amerikan Barack Obama. Paraprakisht, gjatë mandatit të parë të Obamas, sekretarja e atëhershme e shtetit, Hillary Clinton kishte vizituar dy herë Kosovën dhe sot, vizita e Kerry-të ishte e treta.