Büşra Nur Bilgiç Çakmak
01 shkurt 2021•Përditësim: 01 shkurt 2021
Italia iu bashkua vendeve tjera në dënimin e grusht shtetit ushtarak në Mianmar dhe thirrjes për lirimin e udhëheqësve demokratikë, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Italia dënon fuqishëm valën e arrestimeve në Mianmar dhe bën thirrje për lirimin e menjëhershëm të Aung San Suu Kyi dhe të gjithë udhëheqësve politikë të arrestuar", theksohet në një njoftim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë.
Në njoftim gjithashtu thuhet se "jemi të shqetësuar për këtë ndërprerje të menjëhershme të procesit të tranzicionit demokratik dhe kërkojmë që të garantohet respektimi i të drejtave të njeriut dhe lirive themelore".
Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë theksojnë se vullneti i njerëzve që dolën në zgjedhjet e fundit duhet të respektohet.
Grusht shteti ushtarak në Mianmar
Në njoftimin nga media e ushtrisë së Mianmarit, thuhet se pas arrestimeve të bëra në orët e mëngjesit, janë konfirmuar pretendimet rreth grusht shtetit ushtarak, duke njoftuar se vendi tani është nën drejtimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Min Aung Hlaing.
Grusht shteti është kryer për shkak të pretendimeve se janë bërë mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit të vitit 2020.
Pas puçit në vend është shpallur gjendje e jashtëzakonshme ndërsa vendi do të qeveriset me administratë ushtarake për një vit.
Komisioni zgjedhor më 29 janar kishte përgënjeshtruar pretendimet e ushtrisë, se janë bërë mashtrime në zgjedhjet që përfunduan me fitoren e partisë së Aung San Suu Kyi në pushtet.
Ushtria në vend mbështet partinë në opozitë Partia e Zhvillimit dhe Solidaritetit për Unitet (USDP).