Besar Ademi
09 Gusht 2017•Përditësim: 09 Gusht 2017
SHKUP (AA) – Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së, sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë ngriti inciativë për interpelancë për ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media në Shtëpinë ligjvënëse, deputeti nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, theksoi se në interpelancë janë theksuar disa çështje, prej të cilave tre janë më të rëndësishme, siç tha ai, Marrëveshja për fqinjësi të mirë mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, mos emërimi i Aleksandar Nikollovskit për ambasador të Maqedonisë në Bruksel si dhe strategjia për refugjatët dhe emigrantët.
Sipas Milloshoskit, Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë është vendim i ngutshëm dhe i dëmshëm për interesat kombëtare të maqedonasve.
Ai tha se me mos emërimin e ambasadorit maqedonas në Bruksel janë shkelur të gjitha fazat ligjore kushtetuese procedurale për emërimin e tij si ambasador, ndërsa për çështjen e tretë shkak është mungesa e qëndrimit të qartë të shefit të diplomacisë maqedonase në lidhje me siç tha ai, “presionit të ushtruar ndaj Maqedonisë për të ndërtuar strehimoret dhe kampet e refugjatëve për emigrantët”, e cila për VMRO-DPMNE-në është e papranueshme.
“Këto janë tre pikat e theksuara në interpelancë të cilën sot e dorëzuam dhe e cila u pamundësua nga shumica parlamentare të diskutohet në një seancë të hapur normale”, u shpreh Milloshoski.
Ndryshe, Kuvendi i Maqedonisë paraditen e sotme vazhdoi seancën e 6-të në të cilën debatohet për shkarkimin e Prokurorit Publik, Marko Zvërlevski, e cila është duke vazhduar me ndërprerje dhe kontestime rreth legjitimitetit të debatit.
Qeveria propozon që Kuvendi ta shkarkojë Prokurorin Publik për shkak të, siç theksohet në sqarim, ushtrimit të funksionit në mënyrë të paligjshme, jo në kohë dhe jo të mjaftueshme profesionale. Në dokument qëndron edhe ajo se Zvërlevski me sjelljen dhe veprimet e tij ka treguar se nuk është i aftë për kryerje të funskionit dhe se e prish autoritetin e tij.
Shkarkimi i Zvërlevskit kundërshtohet nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së.