Agon Fehmiu
05 prill 2016•Përditësim: 06 prill 2016
PRISHTINË (AA) - Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Agron Selimaj, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), është takuar sot me Drejtorin e CIA-s, John O. Brennan, raporton Anadolu Agency (AA).
"Gjatë takimit janë diskutuar çështjet e sigurisë me interes të përbashkët për Kosovën dhe SHBA-të, përkatësisht fenomenet dhe sfidat aktuale me të cilat po ballafaqohen siguritë nacionale të dyja vendeve. Në këtë takim, drejtori Brennan ka vlerësuar kontributin e AKI-së në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë dhe ka premtuar përkrahje të plotë për AKI-në", thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Sipas vlerësimit të Qeverisë së Kosovës, vizita e drejtorit të AKI-së në CIA pasqyron marrëdhëniet e afërta të bashkëpunimit ndërmjet të dy agjencive dhe njëkohësisht, kontribuon në forcimin e bashkëpunimit në të ardhmen. Po ashtu, njoftohet se, drejtori Selimaj e ka ftuar drejtorin Brennan për vizitë zyrtare në Kosovë.