Politikë

Thaçi pas dorëheqjes së kryeministrit: Do të veprojë bazuar në kompetencat e mia kushtetuese

Unë besoj në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe besoj në vlerat e larta morale të ushtarëve të lirisë. As vlerat e lirisë sonë dhe as luftën e UÇK-së nuk mund ta cenojë askush”, ka theksuar Thaçi

Agim Sulaj   | 19.07.2019
Thaçi pas dorëheqjes së kryeministrit: Do të veprojë bazuar në kompetencat e mia kushtetuese Foto: AA/Arhiv

Prishtinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas dorëheqjes së kryeministrit të vendit të tij, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se do të veprojë bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në llogarinë e tij në rrjetet sociale, presidenti Thaçi ka shprehur keqardhje për ftesën e Haradinajt në Gjykatën Speciale si ish-komandant i Zonës Operative të Dukagjinit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), si dhe të ish-shefit të Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapit, si të dyshuar në kohën e shërbimit në forcat e armatosura të UÇK-së.

“Unë e respektoj vendimin e tij dhe si president i Republikës së Kosovës ju siguroj se do të veprojë bazuar në kompetencat e mia kushtetuese dhe ligjore, për të cilat qytetarët e Kosovës do të njoftohen me kohë. Unë besoj në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe besoj në vlerat e larta morale të ushtarëve të lirisë. As vlerat e lirisë sonë dhe as luftën e UÇK-së nuk mund ta cenojë askush”, ka theksuar Thaçi.

Kryeministri Haradinaj, më herët në një konferencë për media pas seancës qeveritare, njoftoi dorëheqjen e parevokueshme për shkak se, siç tha ai, është i ftuar nga Dhomat e Posaçme të Gjykatës Speciale në Hagë si i dyshuar.

“Javën tjetër do të kem paraqitje dhe kam vlerësuar se nuk mund të paraqitem si kryetar i qeverisë atje, por si një qytetar”, tha Haradinaj, duke shtuar se në Gjykatën Speciale do të paraqitet si qytetar për të ruajtur nderin e qeverisë dhe shtetit.

Ndërkohë për dorëheqjen e Haradinajt kanë reaguar edhe partitë opozitare në Kosovë. Isa Mustafa, kreu i partisë më të madhe opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), tha se partia e tij në vazhdimësi ka kërkuar që kjo qeveri të japë dorëheqje, por “për shkak të ftesës nga Dhomat e Specializuara”.

Më tej, Mustafa ka shprehur besim se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër dhe se “pafajësia e Haradinajt do të provohet edhe kësaj radhe”.

Kreu i Vetëvendosjes opozitare, Albin Kurti, e ka cilësuar dorëheqjen e Haradinajt “të vonuar me arsye të gabuar”, duke përmendur më tej disa arsye që duhej të japë dorëheqje më herët. Ai kërkoi zgjedhje të reja parlamentare të menjëhershme.

Kurti po ashtu është shprehur se partia e tij është kundër Gjykatës Speciale, duke theksuar se vendi ka nevojë për “gjykata normale kundër krimit e korrupsionit në paqe dhe jo për edhe një gjykatë speciale kundër kinse krimeve të luftës së UÇK-së”.

Pas dorëheqjes së Haradinajt, qeveria aktuale do të administrojë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, të cilat siç parashikohet në kushtetutën e vendit brenda 10 ditëve duhet të shpallen nga presidenti Thaçi dhe duhet të mbahen më së voni 45 ditë pas shpalljes. 

Haradinaj dy herë është gjykuar në Gjykatën e Hagës dhe në të dyja rastet është liruar. Në rastin e parë në vitin 2005, Haradinaj po ashtu ushtronte postin e kryeministrit dhe dha dorëheqje para se të paraqitej në Gjykatën e Hagës. 

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın